UT-ja uron Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Kanë kaluar 115 vjet, që kur gjuha shqipe u bë me alfabetin e saj të njëjtë e të përbashkët për të gjithë shqiptarët, dhe natyrisht, po të shohim se sa shumë është shkruar e botuar në albanologjinë dhe historiografinë tonë, nuk mund të mos ia lejojmë vetes gëzimin dhe madhështinë e përjetshme që na ka sjellë viti historik i Kongresit të Alfabetit.
Kur flasim për njërën nga ngjarjet më të mëdha të popullit tonë, Kongresin e Alfabetit të gjuhës shqipe, të mbajtur në Manastir, prej datës 14 deri më 22 nëntor 1908, sigurisht se na pushton ndjesia historike dhe një admirim tepër i veçantë.
Sot, ne përulemi para veprës së delegatëve pjesëmarrës në punimet e Kongresit të Manastirit, siç ishin: Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Fehmi Zavalani, Ndre Mjeda, Gjergj Qeriazi dhe intelektualëve të tjerë, që kishin ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga kolonitë shqiptare.
Rëndësia e Kongresit të Manastirit është e shumanshme, në radhë të parë për kulturën shqiptare, për lëvrimin shkencor e letrar të gjuhës, por mbi të gjitha për zhvillimin e arsimit kombëtar.