Ushtria izraelite vrau “Pelen e Palestinës” teksa priste ndihma humanitare

Ish-futbollisti palestinez Suleiman Obeid, i njohur si “Peleja i Palestinës”, u vra nga një sulm izraelit të mërkurën në Gaza, ndërsa priste ndihma humanitare, njoftuan burime mjekësore.
Obeid, 41 vjeç, ish-kapiten i ekipit kombëtar të Palestinës, është një nga qindra sportistë dhe të rinj palestinezë që kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës në Gaza më shumë se 22 muaj më parë.
Karrierën e nisi me klubin Shabab Al-Shati dhe më pas luajti edhe për Al-Amari Club në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ai shënoi një gol për Palestinën kundër Jemenit në vitin 2010 dhe udhëhoqi ekipin si kapiten në garat rajonale dhe në kualifikimet për Kupën e Botës.
Izraeli po përballet me zemërim në rritje nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të luftës shkatërruese në Gaza, ku që nga tetori i vitit 2023 janë vrarë mbi 61.000 persona. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi në nëntor urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës kundër këtij territori palestinez. /TRT Albania