Ushtarët izraelitë thonë se misioni i vetëm në jug të Libanit është “të shkatërrohet gjithçka”
Oficerë dhe ushtarë izraelitë kanë pranuar se kanë kryer shkatërrim të gjerë të ndërtesave në fshatra në jug të Libanit, duke thënë se misioni i tyre shkon përtej shënjestrimit të infrastrukturës së Hezbollahut, transmeton Anadolu.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka zhvilluar një ofensivë në Liban që ka vrarë të paktën 2.534 persona, ka plagosur 7.863 dhe ka zhvendosur më shumë se 1,6 milion – rreth një e pesta e popullsisë – sipas shifrave zyrtare.
Një armëpushim 10-ditor që filloi më 17 prill u zgjat më vonë deri më 17 maj, por Izraeli vazhdon ta shkelë atë çdo ditë përmes sulmeve ajrore dhe shembjes së shtëpive në jug të Libanit.
Ndërsa ushtria izraelite ka publikuar pamje të prishjeve në shkallë të gjerë, duke pretenduar se po synon “infrastrukturën e Hezbollahut”, ushtarët e cituar nga gazeta izraelite “Haaretz” thanë se realiteti është ndryshe.
Duke cituar ushtarë në terren pa emër, gazeta raportoi të mërkurën se “shumë nga ajo që bëjnë tani nuk është drejtpërdrejt luftë kundër Hezbollahut, por shkatërrim sistematik i ndërtesave në fshatrat në jug të Libanit”.
“Misioni i vetëm është të vazhdojë shkatërrimi. Nuk ka mision tjetër”, tha një oficer izraelit.
Një tjetër shtoi se, në kundërshtim me pretendimet e ushtrisë, “nuk është infrastrukturë terroriste; ne po shkatërrojmë gjithçka”
Sipas të përditshmes, ushtria i referohet planit të saj për të shembur “fshatra shiite” në jug të Libanit si “Operacioni Plug Argjendi”.
“Si pjesë e këtij plani, për secilën njësi në zonë përcaktohet një poligon që tregon seksionin për të cilin është përgjegjëse për ta rrafshuar”, tha gazeta.
“Në fund të çdo dite, bëhet një vlerësim i asaj që është arritur dhe çdo komandant duhet të raportojë sa shtëpi ka shkatërruar”, thuhet më tej.
– Kërcënimet nga dronët e Hezbollahut
“Haaretz” tha se çdo njësie i caktohen buldozerë të operuar nga kontraktorë civilë, të cilët duhet t’i mbrojnë.
“Ushtarët dhe oficerët në terren thonë se kërcënimi nga dronët është më i madh kur ata janë në zona të hapura dhe kur janë në lëvizje”, shtoi ajo.
“Problemet lindin kur forcat janë në terren të hapur dhe nuk mund të mbrohen siç duhet. Dhe pjesa më e madhe e punës për shembjen e shtëpive në fshatrat libaneze zhvillohet në zona të hapura, duke i lënë ushtarët të cenueshëm”, theksohet më tej.
Një ushtar i përfshirë në operacione tha: “Ne qëndrojmë aty, të ekspozuar, dhe ruajmë shembjen e shtëpive ndërsa dronët janë në ajër. Nuk ka logjikë në këtë”.
“Në fund të çdo dite, ka një raport se sa shtëpi janë shkatërruar”, tha një tjetër oficer.
Ushtarët gjithashtu i thanë gazetës se kontraktorët civilë paguhen në bazë të sasisë që shkatërrojnë.
“Ne jemi aty për t’i ruajtur, duke rrezikuar jetën tonë”, tha një ushtar.
Raporti vjen ndërsa Izraeli lëviz për të zgjeruar zonat tampon përtej kufijve të tij, ngjashëm me masat e marra në Gaza dhe Siri.
Në prill, ushtria izraelite njoftoi vendosjen e të ashtuquajturës “Vija e Verdhë” në jug të lumit Litani, një kufi i supozuar që përcakton zonën që shtrihet deri në kufi si një “zonë tampon sigurie”, në një hap që i ngjan modelit të Gazës.
Sipas Izraelit, zona synon të pengojë kthimin e banorëve të zhvendosur dhe të shënjestrojë çdo aktivitet të armatosur, duke e klasifikuar atë si një “zonë lufte” që nuk i nënshtrohet marrëveshjeve të armëpushimit. Ky hap sugjeron një përpjekje për të ngulitur një realitet të ri në terren, duke justifikuar paraprakisht sulme të ardhshme në këtë zonë.

