Urrejtja ndaj muslimanëve arriti nivel rekord në vitin 2024 në Britani

Urrejtja ndaj muslimanëve arriti nivel rekord në vitin 2024 në Britani

Numri i rasteve të urrejtjes ndaj muslimanëve në Mbretërinë e Bashkuar ka vazhduar të rritet, duke regjistruar nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në vitin 2024, transmeton Anadolu.

Vitin e kaluar u regjistruan 6.313 raste të urrejtjes ndaj muslimanëve, një rritje prej 165 për qind nga viti 2022, thuhet në raportin vjetor të organizatës që ndjek sulmet ndaj muslimanëve në Britani, e njohur si “Tell MAMA”.

Kjo organizatë ka regjistruar një rritje prej 120 për qind të raportimeve që vijnë nga rruga që nga viti 2022, me ç’rast kategoria e “sjelljes kërcënuese” është rritur për 715 për qind midis viteve 2023 dhe 2024.

Organizata regjistroi 9.604 raste të verifikuara në periudhën midis viteve 2023 dhe 2024.

Raportet online të urrejtjes ndaj muslimanëve drejtuar organizatës u rritën me 1.619 për qind pas 7 tetorit 2023.

Grupi ia atribuoi këtë rritje të lartë konfliktit në Lindjen e Mesme.

Raporti i organizatës “Tell MAMA” identifikoi platformën X si “më toksike” në internet për urrejtjen ndaj muslimanëve, duke shprehur gjithashtu “shqetësim të thellë” për imazhet anti-muslimane të krijuara nga inteligjenca artificiale, të cilat raportoheshin gjithnjë e më shumë nga muslimanët britanikë në vitin 2024.

Drejtoresha e organizatës “Tell MAMA”, Iman Atta OBE, theksoi nevojën e shtuar për të mbështetur viktimat e urrejtjes ndaj muslimanëve pasi kjo po prek gjithnjë e më shumë muslimanët britanikë.

“Ne jemi në një pikë ku është e qartë se urrejtja ndaj muslimanëve ka nevojë për një përgjigje të koordinuar nga qeveria”, tha ajo.

Drejtoresha gjithashtu e përshkroi këtë rritje si “të papranueshme” dhe “thellësisht shqetësuese”.

“Ne kurrë nuk duhet të lejojmë që një urrejtje dhe jotolerancë e tillë të zë rrënjë në komunitetet tona. Ne i bëjmë thirrje publikut që të qëndrojë së bashku kundër urrejtjes dhe ekstremizmit dhe i nxisim ata që janë në pozita të ndikimit dhe autoritetit publik të marrin në konsideratë se gjuha e tyre rrezikon stereotipizimin e komuniteteve dhe kjo ndikon në mënyrë të padrejtë diskutimet në internet dhe diskutimet tjera”, shtoi ajo.

MARKETING