Uraloglu: Infrastruktura e aviacionit të Turqisë po zgjerohet me shpejtësi, duke rritur avantazhin konkurrues

Uraloglu: Infrastruktura e aviacionit të Turqisë po zgjerohet me shpejtësi, duke rritur avantazhin konkurrues

Ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloglu, ka deklaruar se zgjerimi i infrastrukturës së aviacionit të Turqisë ka qenë një faktor kyç në rritjen e konkurrueshmërisë globale të vendit, ndërsa qendrat moderne të aviacionit shërbejnë si porta që integrojnë ekonomitë dhe nxisin tregtinë ndërkombëtare.

MARKETING

Description of image

Duke folur në margjinat e Samitit Botëror të ACI-së për Përvojën në Aeroporte, të mbajtur në Stamboll, Uraloglu për Anadolu tha se rrjeti i fuqishëm i aeroporteve të Turqisë ka ndihmuar që vendi të bëhet një aktor kyç në tregtinë globale gjatë 24 viteve të fundit, pjesërisht falë edhe pozitës së tij gjeografike.

“Infrastruktura jonë moderne aeroportuale, e shtrirë në mbarë vendin me Aeroportin IGA të Stambollit në krye, përfaqëson vizionin dhe ambicien e vendit tonë për lidership rajonal”, tha Uraloglu, duke përmendur lidhjet e vendit me 356 destinacione ajrore në 133 vende të botës.

Ai deklaroi se numri i përgjithshëm i pasagjerëve në Turqi arriti nivelin rekord prej 247 milionësh vitin e kaluar, duke e ngritur vendin në tregun e tretë më të madh të aviacionit në Evropë dhe të shtatin më të madh në botë.

Sipas tij, trafiku ajror në Aeroportin IGA të Stambollit ka qenë një nga faktorët kryesorë të këtij suksesi, me një mesatare prej 1.665 fluturimesh në ditë dhe me pozitën e tij si qendra ajrore më e ngarkuar në Evropë.

“Kemi hapur mesatarisht 1,4 aeroporte në vit dhe nuk do të ndalemi me këtë numër, së shpejti do ta rrisim numrin e aeroporteve nga 58 në 60. Tani kemi marrëveshje për transportin ajror me 175 vende dhe gjatë 20 viteve kemi shtuar 296 destinacione të reja ndërkombëtare në rrjetin tone”, tha Uraloglu.

Ai theksoi se më 16 gusht, aeroporti transportoi 290.287 pasagjerë përmes 1.739 fluturimeve, duke shënuar një rekord të ri ditor për numrin e fluturimeve dhe pasagjerëve në Turqi dhe Evropë, ndërsa ky rekord u thye më 30 gusht me 1.787 fluturime.

Ai tha se Aeroporti IGA i Stambollit gjithashtu rinovoi akreditimin e tij të nivelit më të lartë, Nivelit 5, sipas ACI World.

Uraloglu theksoi se Turqia u ngjit në vendin e gjashtë mes vendeve evropiane me vëllimin më të lartë të trafikut ajror, me një mesatare prej 4.400 fluturimesh në ditë, duke tejkaluar Greqinë, Poloninë, Holandën dhe Portugalinë.

Ai tha se pista e katërt kryesore e Aeroportit IGA të Stambollit ka arritur në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe pritet të hapet për operim pas testimeve teknike, për të përballuar rritjen e trafikut.

Ai shtoi se shumica e aeroporteve turke kanë akreditim për karbonin dhe përdorin një sistem të ri të hapësirës ajrore me rrugë të lira, të zbatuar së fundmi, për të reduktuar emetimet dhe konsumin e karburantit.

Samiti Botëror i ACI-së për Përvojën në Aeroporte nisi më 31 gusht dhe do të përfundojë të premten, duke mbledhur drejtues të lartë të aviacionit nga e gjithë bota për të diskutuar të ardhmen e sektorit. Samiti organizohet në bashkëpunim me operatorin IGA të Aeroportit të Stambollit dhe Këshillin Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI World).

MARKETING