UNRWA: Qindra mijëra banorë të Gazës mund të hanë vetëm një vakt çdo dy ose tre ditë

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) deklaroi se qindra mijëra palestinezë në Rripin e Gazës mund të hanë vetëm një vakt çdo dy ose tre ditë për shkak të politikës së urisë që Izraeli ka shkaktuar duke mbyllur pikat kufitare në enklavë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i UNRWA-së, Adnan Abu Hasna tërhoqi vëmendjen ndaj përmasave të urisë në Gaza, ku Izraeli nuk ka lejuar asnjë ndihmë humanitare të hyjë që nga 2 marsi.
Ai tha se qindra mijëra palestinezë në Gaza mund të hanë vetëm një vakt çdo dy ose tre ditë dhe se më shumë se 66.000 fëmijë vuajnë nga kequshqyerja serioze për shkak të politikës së urisë të Izraelit.
“UNRWA nuk do të jetë pjesë e planit të ndihmës së Izraelit sepse ai nuk zbaton standardet e OKB-së”, theksoi Abu Hasna i cili paralajmëroi se “plani i paraqitur nga Izraeli do të thotë që një pjesë e madhe e Gazës, përfshirë shtresat më pak të lëvizshme dhe më të pambrojturat do të mbeten pa ushqime”.
Një zyrtar i lartë i paidentifikuar i Ministrisë së Mbrojtjes izraelite, në një deklaratë të bërë dje për mediat lokale pretendoi se plani i ndihmës do të zbatohet pas fillimit të sulmeve në shkallë të gjerë në Rripin e Gazës.
Pasi pretendoi se bashkë me sulmet, në Rafah do të caktohet një zonë për shpërndarjen e ndihmave për palestinezët që do të dëbohen në jug të Gazës, zyrtari tha se palestinezët që dëshirojnë të marrin ndihmë do t’i nënshtrohen një “kontrolli sigurie” nga ushtarët izraelitë.
Izraeli ndaloi hyrjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës më 2 mars pas përfundimit të fazës së parë të armëpushimit dhe marrëveshjes së shkëmbimit të pengjeve dhe po shkakton katastrofë të madhe humanitare në rajon, përfshirë vdekjen e fëmijëve nga uria.
Ndërprerja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rajon dhe mbajtja e pikave kufitare të mbyllura i thellon më tej kushtet e vështira me të cilat po përballen palestinezët në Gaza.