Universiteti i Tetovës merr pjesë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor që mbahet në Prishtinë

Universiteti i Tetovës merr pjesë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor që mbahet në Prishtinë

Universiteti i Tetovës është bërë pjesë e rëndësishme e realizimit të programit të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, që i zhvillon punimet prej 24-26 prill në Prishtinë.

Kjo veprimtari mbahet për herë të dytë dhe organizohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nga Shqipëria.

Në ditën e dytë, Universiteti i Tetovës, para auditorit pjesëmarrës në këtë ngjarje me rëndësi për arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare, është paraqitur me pesëmbëdhjetë botime. Përfaqësuesit e UT-së, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti dhe Mr. Sc. Artina Kamberi i promovuan disa prej botimeve, si: Monografinë e Universitetit të Tetovës (1994/5 – 2004/5) dhe numrat specialë të revistave shkencore kushtuar personaliteteve të shquara të kombit tonë, si: Adem Demaçit, Nënë Terezës, Rafi Halilit, Demonstratave të vitit 1968 dhe Fadil Sulejmanit.

Organizatorët e këtij panairi, në ceremoninë e hapjes zyrtare, këtë ngjarje e kanë cilësuar një takim që i përbashkon botimet e studiuesve shqiptarë dhe ofron mundësinë t’i shohin afër produktet shkencore të shqiptarëve në një aktivitet unik dedikuar atyre. Ndër të tjera ata theksojnë se, panairi synon që botimet e tyre shkencore të mos presin në rafte e magazina, të mos takohen rastësisht me lexuesit e studiuesit, por të shkojnë vetë tek ata, para së gjithash atje ku kërkimi është institucional, në bibliotekat shkencore dhe universitare, por edhe në bibliotekat publike, të institucioneve kulturore dhe arsimore.

 

MARKETING