Ukraina nuk e pranon thirrjen e Rusisë për armëpushim

Ukraina nuk e pranon thirrjen e Rusisë për armëpushim

Ukraina ka hedhur poshtë thirrjen e presidentit rus, Vladimir Putin për armëpushim 36-orësh të enjten për të shënuar Krishtlindjet Ortodokse, duke thënë se nuk do të ketë armëpushim derisa Rusia të tërheqë forcat e saj pushtuese nga toka ukrainase, raportoi Reuters.

Kremlini tha se Putini ka urdhëruar armëpushim nga mesdita e së premtes pas thirrjes për një armëpushim Krishtlindjesh nga Patriarku Kirill i Moskës, kreu i Kishës Ortodokse Ruse.

“Duke marrë parasysh apelin e Shenjtërisë së Tij Patriarkut Kirill, udhëzoj Ministrin e Mbrojtjes të Federatës Ruse që të vendosë një regjim armëpushimi përgjatë gjithë linjës së kontaktit të palëve në Ukrainë nga ora 12:00 e datës 6 janar 2023 deri më 24:00 më 7 janar 2023”, tha Putin në urdhër. “Duke u nisur nga fakti se një numër i madh qytetarësh që shpallin Ortodoksinë jetojnë në zonat e armiqësive, ne i bëjmë thirrje palës ukrainase të shpallë një armëpushim”, tha Putini.

Mirëpo, këshilltari presidencial ukrainas, Mikhailo Podolyak, tha në Twitter se Rusia “duhet të largohet nga territoret e pushtuara – vetëm atëherë do të ketë një ‘armëpushim të përkohshëm’. Mbani hipokrizinë për veten tuaj”.

Ai shtoi se ndryshe nga Rusia, Ukraina nuk po sulmonte territore të huaja ose nuk po vriste civilë, por vetëm po shkatërronte “pjesëtarë të ushtrisë okupuese në territorin e saj”.

Podolyak e ka përshkruar Kishën Ortodokse Ruse, e cila ka miratuar pushtimin e Rusisë, si një “propagandist lufte”.

Ukraina ka thënë se çdo thirrje ruse për armëpushim do të ishte një përpjekje e Moskës për të siguruar njëfarë pushimi për trupat e saj, të cilat Ukraina po përpiqet t’i detyrojë të largohen nga territori i pushtuar nga Rusia.

Kisha Ortodokse e Rusisë kremton Krishtlindjet më 7 janar. Kisha kryesore ortodokse e Ukrainës ka refuzuar autoritetin e patriarkut të Moskës dhe shumë besimtarë ukrainas kanë ndryshuar kalendarin e tyre për të festuar Krishtlindjet më 25 dhjetor si në Perëndim.

 

 

MARKETING