Ukraina mohon se forcat e saj janë larguar nga rajoni Kursk i Rusisë

Ukraina mohon se forcat e saj janë larguar nga rajoni Kursk i Rusisë

Ushtria e Ukrainës të shtunën mohoi një pohim nga zyrtarët në Moskë se trupat ukrainase ishin detyruar të largoheshin nga pikat e tyre të fundit në rajonin Kursk të Rusisë.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, në një deklaratë të postuar në platformën e mediave sociale Telegram, tha se forcat e saj po vazhdonin operacionet e tyre në disa rrethe të rajonit Kursk, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Shtabi i përgjithshëm theksoi gjithashtu se inkursioni i saj në një pjesë tjetër të Rusisë, rajonin Belgorod, ishte ende duke u zhvilluar.
Më herët të shtunën, Shefi i Shtabit Valery Gerasimov i tha Presidentit rus Vladimir Putin se ushtria ruse e ka çliruar plotësisht rajonin kufitar Kursk nga kontrolli ukrainas.
“Sot, vendbanimi i fundit në rajonin Kursk, fshati Gornal, është çliruar nga forcat ukrainase”, citohet të ketë thënë Gerasimov gjatë një takimi me videokonferencë me Putinin.

Gerasimov vlerësoi veçanërisht “heroizmin” e ushtarëve të Koresë së Veriut që morën pjesë në operacion, të cilët “ofruan ndihmë të konsiderueshme në mposhtjen e grupit të forcave të armatosura ukrainase”.

Sipas agjencive të inteligjencës së Koresë së Jugut dhe Perëndimit, më shumë se 10,000 ushtarë nga Koreja e Veriut u dërguan në Rusi vitin e kaluar për të ndihmuar Moskën të luftonte ofensivën tronditëse të Ukrainës në Kursk.

MARKETING