Myftiu i Madh i Arabisë Saudite thirrje trupave në vijën e parë të frontit të bashkohen kundër Huthive

Myftiu i Madh i Arabisë Saudite thirrje trupave në vijën e parë të frontit të bashkohen kundër Huthive

Myftiu i Madh i Arabisë Saudite, Sheikh Saleh bin Fawzan Al-Fawzan u bëri thirrje koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen dhe ushtarëve sauditë të dislokuar përgjatë vijës së frontit të qëndrojnë të bashkuar në përballjen me Huthit dhe në mbrojtje të territorit saudit dhe vendeve të shenjta muslimane, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Në një deklaratë të publikuar të enjten nga Agjencia Saudite e Shtypit (SPA) dhe drejtuar forcave të koalicionit dhe ushtarëve sauditë të dislokuar përgjatë kufirit, Al-Fawzan i cilësoi Huthit si “fraksion të devijuar dhe grup të çoroditur”, duke u bërë thirrje ushtarëve që të “bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe të bashkohen në qëndrimin e tyre”.

Ruajtja e kufijve të vendit, “zmbrapsja e agresionit ndaj tyre dhe ndëshkimi i kujtdo që kërkon të dëmtojë qoftë edhe një pëllëmbë të territorit të tij janë ndër detyrat më të mëdha”, tha ai.

“Rikthimi i sigurisë dhe stabilitetit në Jemen nën udhëheqjen e tij legjitime është detyrë parësore”, shtoi autoriteti më i lartë fetar i Arabisë Saudite.

Deklarata u publikua në të njëjtën kohë me njoftimin e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite se kishte interceptuar dhe shkatërruar gjashtë raketa balistike të Huthive dhe kishte penguar një përpjekje për të goditur qytetet Taif dhe Janbu në Arabinë Saudite perëndimore.

Që nga korriku, mbretëria është përballur një përshkallëzim të sulmeve të Huthive me raketa dhe dronë ndërsa luftimet e rifilluara në Jemen janë përhapur në Arabinë Saudite fqinje.

Koalicioni njoftoi në shtator se kishte interceptuar sulme që, sipas deklaratave të tij, kishin në shënjestër Riadin, Mekën, Taifin, Janbunë dhe qytete të tjera.

Më 19 shtator, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi sulmet e Huthive ndaj mbretërisë, përfshirë ato që shkaktuan viktima në mesin e civilëve dhe dëme në objektet energjetike.

MARKETING