Ukraina: Gjashtë të vrarë dhe 20 të plagosur nga sulmet ruse në disa rajone

Ukraina: Gjashtë të vrarë dhe 20 të plagosur nga sulmet ruse në disa rajone

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha të premten se sulmet ruse në disa rajone kanë vrarë të paktën gjashtë persona dhe kanë plagosur 20 të tjerë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në platformën socile amerikane X, ministria tha se sulmet ruse në rajonin juglindor të Zaporizhzhias shkaktuan një zjarr në një pikë karburanti, duke dëmtuar një ndërtesë dhe pajisje dhe duke plagosur dy persona.

Në rajonin e Kharkivit, sulmet ajrore dëmtuan një magazinë, ndërtesa banimi dhe automjete. Dhjetë persona, përfshirë katër fëmijë, u plagosën dhe një person u vra, tha ministria.

Në rajonin qendror të Dnipropetrovskut, sulmet dëmtuan shtëpi private, një zyrë postare dhe automjete. Një vajzë tetëvjeçare u vra në qytetin Pavlohrad dhe një person tjetër u plagos, sipas ministrisë.

Në rajonin jugor të Odesës, sulmet ruse i vunë flakën dy cisternave të karburantit dhe një cisterne gazi. Një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën, tha ministria, duke shtuar se përpjekjet e zjarrfikësve u penguan nga alarmet e përsëritura të sulmeve ajrore.

Në Kramatorsk, në rajonin lindor të Donetskut, tre persona u vranë dhe të paktën gjashtë të tjerë u plagosën, sipas ministrisë.

“Rusia nuk ka ndërmend të ndalet”, tha ministria, duke u bërë thirrje partnerëve të Ukrainës që të vendosin sanksione më të ashpra ndaj Moskës.

“Aftësia e Ukrainës për t’u mbrojtur nga terrori ajror duhet të forcohet. Forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës mbetet thelbësor për të shpëtuar jetë”, shtoi ajo.

Pretendimet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ukraina dhe Rusia gjithashtu akuzuan njëra-tjetrën për sulme me dronë gjatë natës.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se ka rrëzuar 79 dronë rusë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja e saj ajrore ka shkatërruar 133 dronë ukrainas.

MARKETING