UEFA përjashton Crystal Palacen nga Liga e Evropës

UEFA ka konfirmuar se Crystal Palace nuk do të marrë pjesë në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm, pavarësisht triumfit në Kupën FA për edicionin 2024/25.
Sipas njoftimit zyrtar, klubi londinez është shpallur fajtor për shkelje të rregullave që ndalojnë pronësinë e shumëfishtë të klubeve, pasi aksionari i tyre kryesor, John Textor, është gjithashtu pronar i Lyon – klub që gjithashtu do të garojë në Ligën e Evropës.
Kjo përplasje interesash bëri që UEFA të ndërhynte, duke vendosur që vetëm njëri prej dy klubeve mund të marrë pjesë.
Edhe pse Textor tentoi të shesë aksionet e tij në Crystal Palace për të shmangur konfliktin e interesit, marrëveshja e shitjes nuk është finalizuar dhe nuk ka marrë ende miratimin nga autoritetet përkatëse.
Si rezultat, Nottingham Forest do të përfitojë nga situata, duke zënë vendin e Palace në Ligën e Evropës për sezonin 2025/26, ndërkohë që Crystal Palace do të transferohet në Ligën e Konferencës.
Mbetet e paqartë nëse Crystal Palace do të apelojë këtë vendim, megjithëse burime pranë klubit kanë lënë të kuptohet se një kundërshtim ligjor nuk përjashtohet.