UEFA me dy standarde/ Bellingham përfiton, Demiral dhe Daku ndëshkohen keq

UEFA me dy standarde/ Bellingham përfiton, Demiral dhe Daku ndëshkohen keq

Merih Demiral u skualifikua me dy ndeshje nga UEFA në lidhje me festimin ku bëri gjestin e përshëndetjes së ujqërve, i cili simbolizon Ujqërit Gri, organizatë turke e ekstremit të djathtë, në rastin e golit të 2-0 ndaj Austrisë.

Demiral do të mungojë në këtë mënyrë në çerekfinalen kundër Holandës në program këtë të shtunë, si edhe në një gjysmëfinale të mundshme nëse Turqia kalon turin. Pas festimit lojtari deklaroi se ishte shumë i lumtur që e kishte bërë atë gjest.

Ndërkohë Turqia ka apeluar vendimin në UEFA. Gjesti u kthye shpejt në një çështje politike, ministrja e brendshme gjermane Nancy Faeser komentoi “Simbolet e ekstremistëve të djathtë turq nuk kanë vend në stadiumet tona. Të përdorësh kampionatin europian të futbollit si platformë për racizmin është krejtësisht e papranueshme. Presim që UEFA të hetojë rastin dhe të marrë në konsideratë ndëshkime”.

Fjalë këto që provokuan reagimin e Ankarasë që e konsideroi të papranueshëm hetimin e nisur në Nion. UEFA këmbëngul se po ndjek një linjë konstante duke ndaluar mesazhet politike gjatë turneut, pasi dënoi edhe sulmuesin e kombëtares Shqiptare Mirlind Daku për dy ndeshje për koret nacionaliste pas ndeshjes me Kroacinë.

Ndërkohë ka nga ata që akuzojnë UEFA se po përdor 2 standarde, duke qenë se organizmi europian ndëshkoi me një ndeshje Jude Bellingham për festimin kundër Sllovakisë ku bëri me shenjë nga pjesët intime, por lojtari i Anglisë mund të luajë kundër Zvicrës në çerekfinale pasi bëhet fjalë për një dënim me kusht për një vit. Praktikisht Bellingham do të dënohet me pezullimin në fjalë vetëm nëse përsërit të njëjtin gjest brenda 12 muajve të ardhshëm.

 

MARKETING