Turqia udhëheq thirrjen e përbashkët drejtuar OKB-së për të ndalur dërgesat e ar’mëve në Izr’ael
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka bërë të ditur se Türkiye, së bashku me 53 nënshkrues të tjerë, i ka dërguar një letër të përbashkët Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të ndalur dërgesat e armëve dhe municioneve në Izrael, raporton Anadolu.
Letra, e udhëhequr nga iniciativa e Türkiyes, u nënshkrua nga 52 vende dhe dy organizata ndërkombëtare dhe iu dorëzua OKB-së më 1 nëntor, duke bërë thirrje për ndërprerjen e furnizimeve me armë për Izraelin.
“Ne duhet të ri-theksojmë në çdo rast se shitja e armëve Izraelit përbën një bashkëpunim në gjenocid”, tha Fidan në një konferencë për media në Xhibuti, ku mori pjesë në konferencën e tretë të Rishqyrtimit Ministror të Partneritetit Türkiye-Afrikë.
Shefi i diplomacisë turke theksoi se administrata e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, është bërë një “kërcënim global”. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve që të parandalojnë Izraelin nga injorimi i ligjit ndërkombëtar.
Duke theksuar se sistemi aktual global nuk jep zgjidhje, Fidan tha se “ky sistem që riprodhon padrejtësinë historike” duhet të ndryshojë.
“Ky transformim i pashmangshëm do të ndodhë nën udhëheqjen e vendeve afrikane, të cilat sistemi aktual ndërkombëtar i ka injoruar”, tha Fidan.