Turqia hedh poshtë rezolutën e Parlamentit Evropian mbi marrëveshjen detare me Libinë

Turqia hedh poshtë rezolutën e Parlamentit Evropian mbi marrëveshjen detare me Libinë

Turqia të enjten hodhi poshtë një rezolutë të Parlamentit Evropian lidhur me marrëveshjen për delimitimin e kufijve detarë që ka nënshkruar me Libinë në vitin 2019, duke deklaruar se BE-ja nuk ka autoritet për çështje të tilla, transmeton Anadolu.

“Ne e hedhim poshtë rezolutën e miratuar gjatë seancës plenare të sotme (26 nëntor) të Parlamentit Evropian lidhur me Memorandumin e Mirëkuptimit për Delimitimin e Zonave të Juridiksionit Detar, të cilin e nënshkruam me Libinë në vitin 2019 dhe që përmban pretendime të njëanshme dhe të pabazuara”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Ministria theksoi se BE-ja nuk ka autoritet mbi delimitimin e zonave të juridiksionit detar, duke vënë në dukje se kjo është përcaktuar edhe me një vendim të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.

Ajo kritikoi Parlamentin Evropian për miratimin e rezolutave të motivuara politikisht, të cilat shpërfillin të drejtën ndërkombëtare nën pretekstin e solidaritetit mes shteteve anëtare, duke i cilësuar përpjekje të tilla si të kota.

“Paqja dhe stabiliteti në Mesdheun Lindor do të jenë të mundshme përmes qasjeve që u japin përparësi dialogut, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, respektit dhe bashkëpunimit”, thuhet në deklaratë.

Ministria shtoi se pret që zyrtarët e BE-së të ndjekin një qasje të tillë.

MARKETING