Turma në Tabanoc, Toshkovski: Automjetet me kundërvajtje identifikohen nga kamerat inteligjente
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sqaroi se në pikën kufitare Tabanoc janë vendosur kamera inteligjente që lexojnë targat dhe identifikojnë automjetet me kundërvajtje të evidentuara në trafik.
“Me kamerat inteligjente gjatë hyrjes në pikën kufitare kemi vendosur kamera smart, të cilat i lexojnë targat e automjeteve dhe në bazë të informacionit që marrim nga kontrollet kufitare i ndajnë anësh dhe i selektojnë vetëm ato automjete që kanë bërë kundërvajtje në trafik. Ata që nuk kanë bërë shkelje lëshohen pa u kontrolluar drejt kufirit me Serbinë. Kjo do të jetë si zgjidhje teknike që do të zbatohet edhe në të gjitha vendkalimet tjera kufitare që do të mundësoj parakushte për këtë masë. Sfida ka por do të përmirësohemi në kuadër të asaj që duhet të avancojmë, por shpëtimi i një jete njerëzore krahasuar me të kaluarën, nuk ka çmim”, tha Pançe Toshkovski.
Sipas tij, automjetet pa shkelje do të kalojnë drejt kufirit me Serbinë pa kontrolle shtesë, ndërsa e njëjta zgjidhje teknike pritet të zbatohet edhe në vendkalimet e tjera kufitare, me qëllim përmirësimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Përndryshe, MPB-ja doli me njoftim se shtetasit e huaj që kanë kryer kundërvajtje në trafik do të ndëshkohen gjatë daljes nga vendi në pikën kufitare “Tabanoc”, ku do t’u dorëzohet procesverbali dhe urdhërpagesa për gjobën.
Nga MPB-ja thonë se fluksi i shtuar i automjeteve ditën e parë është shkaktuar nga përfshirja e kundërvajtjeve të evidentuara më herët, ndërsa po merren masa për shkurtimin e pritjeve dhe zbatimin e njëjtë të rregullave për të gjitha automjetet.

