Trump: SHBA-ja do të shpallë tarifa “të mëdha” për importet farmaceutike

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka bërë të ditur se së shpejti do të shpallë një tarifë “të madhe” për importet farmaceutike, një veprim që sipas tij, do të kthejë prodhimin e barnave në tokën amerikane, transmeton Anadolu.
Në një darkë të Komitetit Kombëtar Republikan të Kongresit, Trump tha se “shumë shpejtë” do të shpallin një tarifë të madhe për farmaceutikët.
“Sapo ta bëjmë këtë, ata do të kthehen duke nxituar në vendin tonë, sepse ne jemi tregu i madh. Avantazhi që kemi ndaj të gjithëve është se ne jemi tregu i madh”, tha Trump.
“Kur ta dëgjojnë këtë, ata do të largohen nga Kina, do të largohen nga vende të tjera, sepse duhet të sheshin. Shumica e produktit të tyre shitet këtu”, shtoi ai, duke iu referuar kompanive të barnave.
President amerikan akuzoi administratat e mëparshme të SHBA-së që lejuan Kinën të përfitojë nga SHBA-ja përmes praktikave të padrejta tregtare, si dhe u zotua se kjo nuk do të ndodhë më nën udhëheqjen e tij.
Ai akuzoi Kinën për vendosjen e tarifave “të pajustifikuara”. Sipas tij, shumë vende kanë përfituar nga tarifat gjatë viteve dhe veprimet e tij tani po tërheqin kritika të padrejta.
“Të gjithë u pasuruan për shkak të tarifave. Tani, e dini, kur ne i bëjmë të gjitha këto, është kaq e tmerrshme. ‘Ajo që Trump po bën është e tmerrshme’. Ata u pasuruan dhe jo vetëm Kina, por shumë vende. Dua të them, shikoni Vietnamin, shikoni shumë të tjerë, mund të përmend 50 tani”, tha ai.
Trump tha se tarifa prej 104 për qind ndaj mallrave kineze do të hyjë në fuqi në mesnatë, si dhe theksoi se ato do të mbeten në fuqi derisa Pekini të pranojë një marrëveshje të re.
“Mendoj se ata do të bëjnë një marrëveshje në një pikë. Kina dëshiron. Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Ata me të vërtetë e duan”, shtoi ai.