Trump publikon hartë që paraqet Amerikën e Veriut dhe territore të tjera si pjesë të SHBA-së

Trump publikon hartë që paraqet Amerikën e Veriut dhe territore të tjera si pjesë të SHBA-së

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpërndarë në llogarinë e tij në Truth Social një hartë që duket se paraqet pjesën më të madhe të Amerikës së Veriut dhe territoret përreth nën flamurin amerikan, në postimin më të fundit të një serie publikimesh provokuese që lidhen me gjeografinë dhe pretendimet territoriale.

Imazhi tregon flamurin amerikan që mbulon SHBA0në, si dhe pjesë të mëdha të Kanadasë, Grenlandës dhe Meksikës, ndërsa imazhe me simbole amerikane shfaqen edhe në zona të tjera të rajonit. Trump nuk dha ndonjë shpjegim në postim.

Imazhi vjen një ditë pasi Trump shpërndau një tjetër grafikë që dukej se riemërtonte shtetin amerikan New Mexico në “New America”, me fjalën “Mexico” të vijëzuar dhe të zëvendësuar me “America”. Shtëpia e Bardhë nuk ka njoftuar ndonjë përpjekje zyrtare për ndryshimin e emrit të shtetit.

Krahas hartës së Amerikës së Veriut, Trump publikoi disa imazhe të tjera të ngjashme pasi grafika për New Mexico nxiti kritika nga zyrtarët e këtij shteti.

Guvernatorja e New Mexico-s, Michelle Lujan Grisham, tha në platformën amerikane të mediave sociale X se emri i shtetit “nuk është për diskutim”, duke e akuzuar Trumpin se po “ngjyros harta”, ndërkohë që familjet punëtore përballen me rritjen e kostove të karburantit.

Senatori Martin Heinrich shkroi në X: “Tre gjëra që do t’i quaj gjithmonë me emrat e tyre të vërtetë… Gjiri i Meksikës, Liqeni Ontario, New Mexico”.

Edhe ligjvënësja Melanie Stansbury e hodhi poshtë idenë, duke thënë: “Ne jemi nga New Mexico. Pikë”.

Ligjvënësi Gabe Vasquez tha se Trump nuk mund ta “fshijë New Mexico-n”, historinë apo kulturën e tij.

Trump ka përdorur gjithnjë e më shumë riemërtimet gjeografike dhe hartat si pjesë të mesazheve të tij politike. Në janar të vitit 2025, ai urdhëroi që qeveria amerikane t’i referohej Gjirit të Meksikës si “Gjiri i Amerikës”.

Më 27 gusht, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzon agjencitë federale ta riemërtojnë Liqenin Ontario në “Liqeni Amerika”, një veprim që erdhi në një kohë të përkeqësimit të ndjeshëm të marrëdhënieve me Kanadanë.

Administrata e Trumpit ka avancuar gjithashtu pretendimet mbi Grenlandën, territor vetëqeverisës i Danimarkës, duke shkaktuar tensione diplomatike.

Presioni i Washingtonit ndaj Kubës gjithashtu është intensifikuar, me SHBA-në që ka vendosur sanksione dhe vazhdon një fushatë më të gjerë presioni ekonomik ndaj Havanës.

MARKETING