Trump “nuk është i kënaqur” me propozimin e Iranit, përmend kërkesa që nuk mund t’i pranojë

Trump “nuk është i kënaqur” me propozimin e Iranit, përmend kërkesa që nuk mund t’i pranojë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk është i kënaqur me propozimin e fundit të Iranit për armëpushim, duke shtuar se Teherani po kërkon gjëra që ai nuk mund t’i pranojë, transmeton Anadolu.

“Ata duhet të dalin me marrëveshjen e duhur. Në këtë moment, nuk jam i kënaqur”, u tha Trump gazetarëve para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë.

I pyetur pse nuk është i kënaqur me propozimin e Iranit, Trump tha: “Ata po kërkojnë gjëra që nuk mund t’i pranoj”.

“Për momentin, kemi negociata që po zhvillohen. Nuk po arrijnë askund. Janë shumë të çrregullta. Ata nuk po arrijnë të bashkëpunojnë mes vete si udhëheqës. Nuk e dinë kush është udhëheqësi”, tha Trump.

“Të gjithë duan të bëjnë marrëveshje, por janë të çrregulluar”, shtoi ai.

Ai tha se negociatat po vazhdojnë me ndërmjetësimin e Pakistanit, duke vlerësuar zyrtarët në Islamabad për bashkëpunimin me Washingtonin, por paralajmëroi se “rruga është shumë e gjatë”.

Pavarësisht disa “përparimeve”, Trump tha: “Nuk jam i sigurt nëse ata do të arrijnë ndonjëherë marrëveshje”.

Presidenti amerikan gjithashtu e lidhi përfundimin e mundshëm të luftës me tregjet globale të energjisë, duke theksuar se dërgesat e naftës të bllokuara pranë Ngushticës së Hormuzit mund të rifillojnë së shpejti.

“Kur të përfundojë lufta, çmimet e benzinës do të bien nën ato që ishin më parë”, tha ai.

MARKETING