Trump: Marrëveshja e re me Iranin “do të jetë shumë më e mirë” se pakti bërthamor i mëparshëm

Trump: Marrëveshja e re me Iranin “do të jetë shumë më e mirë” se pakti bërthamor i mëparshëm

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se marrëveshja që aktualisht po negociohet me Iranin do të jetë më e mirë se pakti bërthamor i mëparshëm, përkatësisht Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), transmeton Anadolu.

“Marrëveshja që po bëjmë me Iranin do të jetë shumë më e mirë se JCPOA-ja”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke e cilësuar marrëveshjen e mëparshme si një nga më të këqijat për sigurinë e SHBA-së.

Ai argumentoi se marrëveshja e mëparshme ishte një “rrugë e garantuar drejt armëve bërthamore” për Teheranin, një skenar që sipas tij nuk do të ndodhë nën administratën e tij.

Presidenti amerikan pretendoi se vendimi i tij në vitin 2018 për t’u tërhequr nga JCPOA-ja parandaloi përdorimin e armëve bërthamore kundër vendeve të Lindjes së Mesme, Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane.

Ai shtoi se një marrëveshje e suksesshme “Trump” do të siguronte “paqe, siguri dhe mbrojtje” për Lindjen e Mesme, Evropën, Amerikën dhe më gjerë.

Këto deklarata vijnë para bisedimeve të mundshme në nivel të lartë midis SHBA-së dhe Iranit në Pakistan.

Dje, Trump njoftoi se përfaqësues amerikanë do të udhëtojnë drejt Islamabad për negociata, ndërsa Teherani ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen dhe ka kërkuar heqjen e bllokadës.

Pakistani priti kontaktin e parë të drejtpërdrejtë në nivel të lartë mes SHBA-së dhe Iranit më 11-12 prill, i pari që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1979, por bisedimet përfunduan pa ndonjë përparim.

MARKETING