Trump konfirmon se u largua nga Turqia me një avion tjetër pas udhëzimit të shërbimit sekret
Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi të martën se shërbimi sekret dhe ushtria e urdhëruan atë të përdorte një “avion tjetër” gjatë largimit nga Turqia muajin e kaluar pas një samiti të NATO-s, duke përmendur shqetësimet e sigurisë, transmeton Anadolu.
“I takon vetëm shërbimit sekret. Unë thjesht ndjek atë që atyre u pëlqen të bëjnë. Kështu që unë i përmbahem shërbimit sekret dhe ushtrisë. Ata donin që unë të shkoja me një fluturim tjetër, një avion tjetër, me siguri të barabartë”, u tha Trump gazetarëve në bazën e përbashkët “Andrews” në Maryland pasi u kthye nga Ohajo.
“Ata donin që unë ta bëja, kështu që unë e bëj. Unë bëj atë që thonë ata”, tha ai.
“Unë mendoj se ka pasur një kërcënim atje. Unë nuk pyeta shumë për të. Kam shumë kërcënime”, shtoi ai, pa dhënë detaje.
“Kam shumë kërcënime. Kam shumë kërcënime për të cilat ju nuk i dini. Çdo president me peshë ka shumë kërcënime. Presidentët e parëndësishëm nuk kërcënohen. Dhe mendoj se unë mund të jem presidenti më i rëndësishëm. Askush nuk ka bërë më shumë se unë në një periudhë gati gjashtë vjeçare”, tha ai.
Vërejtjet e tij erdhën kur u pyetën në lidhje me një raport në “The Washington Post” se ai ndërroi fshehurazi avion pasi fillimisht u shfaq për të hipur në “Air Force One” në Ankara.
Sipas raportit, Trumpi u zhvendos nga “Air Force One” në një avion më të vogël ushtarak në një operacion të fshehtë ndërsa “Air Force One” vazhdoi të fluturonte me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, personel sigurie dhe gazetarë në bord.
“Washington Post” raportoi se operacioni u nxit nga një kërcënim i pretenduar për vrasje nga Irani dhe përfshinte transferimin e Trumpit nga “Air Force One” përmes një automjeti ushqimi të aeroportit përpara se të hipte në një avion tjetër.
Operacioni u zhvillua pas pjesëmarrjes së Trumpit në Samitin e NATO-s në Ankara më 7-8 korrik.

