Trump i bërtiti Netanyahut në telefon pas pretendimit se nuk kishte uri në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka bërtitur kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një telefonate kur ai pretendoi se nuk kishte uri në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në lajmin e NBC News thuhet se Netanyahu kërkoi të bisedojë në telefon me presidentin Trump gjatë vizitës së tij në Skoci më 28 korrik. Pas kërkesës, Trump dhe Netanyahu biseduan në telefon më 28 korrik për të diskutuar mbi situatën në Gaza.
Në lajmin e bazuar në zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, vihet në dukje se gjatë telefonatës, Netanyahu i ka thënë Trump se “Nuk ka uri të përhapur në Gaza dhe se ajo po fabrikohet nga Hamasi”.
Pas kësaj Trump thuhet se e ndërpreu Netanyahun dhe filloi të bërtiste, duke i thënë se ndihmësit e tij i kishin treguar prova se fëmijët në Gaza po vdisnin nga uria dhe se ai nuk donte që ato të hidheshin poshtë si “të rreme”.
Ndërkohë Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Kryeministrit izraelit thuhet se refuzuan të komentonin mbi lajmin se Trump i bërtiti Netanyahut për shkak se në telefon ai tha “nuk ka uri” në Gaza.
– Izraeli po grumbullon trupa përgjatë kufirit për të pushtuar qytetin e Gazës
Në anën tjetër në lajmin e NBC thuhet gjithashtu se ushtria izraelite ka bërë grumbullim ushtarak përgjatë kufirit për planin e pushtimit të qytetit të Gazës.
Imazhet satelitore zbulojnë se ushtria izraelite po grumbullon trupa përgjatë kufirit përpara pushtimit tokësor që pritet të fillojë ndaj qytetit të Gazës.
Zyra e Kryeministrit izraelit njoftoi se plani për të pushtuar qytetin e Gazës, i vendosur në veri të Rripit të Gazës, u miratua nga Kabineti i Sigurisë sot në mëngjes.