Tronditen tregjet globale/ Lufta në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës rritet në mbi 100 dollarë për fuçi
Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm duke kaluar kufirin e 100 dollarëve për fuçi, teksa tensionet nga lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vazhdojnë të ndikojnë fuqishëm në furnizimet globale me karburant.
Sipas të dhënave të tregut, nafta e papërpunuar Brent crude oil, që shërben si indeksi kryesor global, u tregtua rreth 100 dollarë për fuçi të mërkurën vonë, duke shënuar një rritje prej 8.7% brenda një dite.
Ndërkohë edhe West Texas Intermediate (WTI), indeksi amerikan i naftës, u rrit me të njëjtin ritëm, 8.7%, duke arritur në 94.8 dollarë për fuçi.
Rritja e çmimeve vjen vetëm tre ditë pasi nafta kishte arritur nivelin më të lartë të katër viteve të fundit, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme po krijon frikë për ndërprerje të furnizimeve globale.
Kjo rritje ndodhi pavarësisht vendimit të vendeve anëtare të International Energy Agency për të hedhur në treg një sasi rekord prej 400 milionë fuçish naftë, në përpjekje për të stabilizuar tregjet dhe për të ulur presionin mbi çmimet.

