Tregu i telefonave në krizë – dërgesat globale pritet të bien 12 për qind në 2026
Sipas raportit të agjencisë FDM CCS Insight, dërgesat globale të telefonave inteligjentë ranë me 7 për qind në tremujorin e dytë (TM2), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Krahasuar me tremujorin e parë (TM1) të këtij viti, u regjistrua një rënie prej 3 për qind. Në përgjithësi, FDM parashikon që dërgesat globale të telefonave inteligjentë të bien me 12 për qind gjatë vitit 2026.
Tregjet e zhvilluara, si Evropa dhe Amerika e Veriut, shënuan rënie prej një përqindjeje të ulët njëshifrore, ndërsa tregjet në zhvillim, ku konsumatorët janë më të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve, shënuan rënie më të madhe.
Në anën tjetër, tregu sekondar po performon mirë. Sipas raportit të FDM-së, shitjet e telefonave të përdorur u rritën me 3 për qind në bazë vjetore, ndërsa gjatë gjithë vitit pritet të rriten me rreth 10 për qind, ose më saktësisht 9 për qind.
Duket se blerësit po zgjedhin më shumë telefonat më të lirë, të rinovuar (refurbished), në vend të pajisjeve krejtësisht të reja, dhe për këtë ka një arsye të fortë.
Për shkak të rritjes së çmimeve të memories, si pasojë e mungesës globale, telefonat e rinj inteligjentë ishin 13 për qind më të shtrenjtë në tremujorin e dytë krahasuar me të parin. FDM pret që çmimet e telefonave të rinj të vazhdojnë të rriten edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026.
Megjithatë, as tregu i pajisjeve të përdorura nuk është pa probleme. Kërkesa e lartë dhe oferta e kufizuar po i rrisin gradualisht edhe çmimet e telefonave të rinovuar. Numri më i vogël i ndërrimeve të telefonave të vjetër me të rinj (trade-in) në SHBA nënkupton se më pak pajisje po kalojnë në tregun sekondar, megjithëse eksportet e fuqishme nga Kina dhe Japonia po e zbusin pjesërisht këtë mungesë.

