Tragj’edi në stadiumin e futbollit, të paktën 56 tifozë kanë mbetur të vde’kur
Numri i viktimave nga përplasjet gjatë një ndeshjeje futbolli në N’zérékoré, qyteti i dytë më i madh në Guine, ka arritur të paktën në 56 persona, megjithëse disa media lokale raportojnë për mbi 100 viktima. Incidentet shpërthyen pas një vendimi të arbitrit, çka solli pushtimin e fushës gjatë ndeshjes mes ekipeve të N’zérékoré dhe Labé.
Sipas burimeve lokale, tifozët e skuadrës mysafire, të zemëruar nga vendimet e arbitrit, filluan të hedhin gurë në fushë dhe më pas pushtuan terrenin e lojës. Si përgjigje, policia përdori gaz lotsjellës, duke shkaktuar panik mes spektatorëve që përpiqeshin të largoheshin nga stadiumi. Shumë prej viktimave janë gra dhe fëmijë, që u shtypën gjatë përpjekjeve për të shpëtuar.
Një mjek, duke folur në kushte anonimiteti, tha: “Ka rreth 100 të vdekur, trupat e pajetë kanë mbushur spitalin dhe morgun e qytetit”.
Kryeministri i qeverisë së kontrolluar nga junta ushtarake, Amadou Oury Bah, bëri thirrje për qetësi, duke deklaruar: “Qeveria dënon incidentet që ndodhën gjatë ndeshjes mes Labé dhe N’zérékoré. Po ndjekim situatën dhe i bëjmë thirrje popullsisë të ruajë qetësinë, në mënyrë që shërbimet mjekësore të mund të ndihmojnë të plagosurit”.
Koalicioni opozitar i quajtur Aleanca Kombëtare për Alternativë dhe Demokraci ka kërkuar një hetim të plotë. Sipas tyre, turneu është organizuar për të mbledhur mbështetje për ambiciet politike të liderit ushtarak Mamadi Doumbouya, gjë që e quajnë “të paligjshme dhe të papërshtatshme”.
Pas grushtit të shtetit në shtator 2021, Doumbouya mori pushtetin dhe që prej asaj kohe ka shërbyer si president. Turneu, i cili përfundoi në tragjedi, ishte dedikuar pikërisht atij dhe shihet si një përpjekje për të rritur mbështetjen për një kandidaturë të mundshme të Doumbouya në zgjedhjet presidenciale të ardhshme. Në javët e fundit, turnetë e tillë janë intensifikuar në Guinea, duke ngritur shqetësime për përdorimin e sportit si një platformë për agjenda politike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.