Toshkovski: Nuk ka pasur sulm para policisë ndaj Danella Arsovskës, pretendimet janë manipulim

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se gjatë incidentit që përfshiu kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, gjatë një inspektimi në një ndërtim të paligjshëm në Komunën Çair, ka pasur një sulm fizik, por ka mohuar kategorikisht që ai të ketë ndodhur në prani të policisë.
Në një intervistë për televizionin Telma, Toshkovski theksoi se pretendimet se sulmi ndodhi para zyrtarëve policorë janë “gënjeshtër dhe përpjekje e përsëritur për manipulim të opinionit publik.”
Ai bëri të ditur se Ministria e Brendshme ka vepruar në dy raste të ndara dhe ka hapur procedura disiplinore ndaj disa oficerëve të policisë për çështjet e ngritura nga Arsovska. Megjithatë, ai theksoi se, edhe pse kryetarja e Shkupit është thirrur për të dhënë deklaratë në polici, ajo ka refuzuar të paraqitet dhe në vend të kësaj ka zgjedhur të publikojë informacion në rrjetet sociale.