Toshkovski: MPB-ja përfundoi me sukses projektin me OSBE-në për arsimin hibrid
Ministria e Punëve të Brendshme sot zyrtarisht shënoi përfundimin e projektit “Ndërtimi i sistemit arsimor hibrid në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë”, me të cilin vendosen themelet e një sistemi modern, të qëndrueshëm dhe teknologjikisht të avancuar për trajnim policor, informojnë nga MPB.
Projekti, i realizuar në partneritet me Misionin e OSBE-së në Shkup dhe me mbështetje financiare të Republikës Federale të Gjermanisë, Mbretërisë së Norvegjisë dhe kontributeve shtesë të Finlandës, gjatë viteve të kaluara mundësoi transformim qenësor të mënyrës së përsosjes profesionale dhe zhvillimit profesional në kuadër të Ministrisë.
Në kuadër të projektit u krijua një model modern arsimor hibrid, i cili kombinon mjetet digjitale, metodat moderne didaktike dhe qasjen afatgjate “trajnimin e trajnuesve”. Është zhvilluar një program trajnimi hibrid, janë përzgjedhur dhe trajnuar trajnues kombëtarë me kompetenca të larta digjitale dhe pedagogjike, është krijuar një Qendër Trajnimi Multimediale në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë, si dhe një Sistem Menaxhimi me Mësim (LMS) që mundëson arsim fleksibël dhe cilësor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke marrë fjalën në ngjarjen përmbyllëse, theksoi se këto rezultate paraqesin një tregues të qartë pjekurie institucionale dhe përcaktimi për investime të vazhdueshme në dije dhe profesionalizim të shërbimit policor. Ai ceku se kapacitetet e krijuara hapin mundësi për bashkëpunim të mëtejshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe për përfshirje aktive në rrjetet rajonale arsimore, përfshirë Shoqatën Rajonale të Akademive Policore dhe Qendrave të Trajnimit nga Evropa Juglindore.
Ministria e Punëve të Brendshme shprehu mirënjohjen e saj ndaj Misionit të OSBE-së në Shkup, si dhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke theksuar se ky projekt nuk mbaron këtu, por hapet një kapitull i ri në të cilin arsimi hibrid bëhet pjesë integrale e funksionimit të përditshëm të Ministrisë dhe një vegël e rëndësishme për përgatitjen e policisë për sfidat e ardhshme të sigurisë.
Siç bënë të ditur nga Misioni i OSBE-së, iniciativa përqendrohet në Qendrën e re të Trajnimit Multimedial në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë dhe një platformë të lehtë për t’u përdorur të të nxënit onllajn, të cilat janë plotësisht të integruara në Ministri dhe menaxhohen nga ajo. Përveç kësaj, 18 instruktorë të trajnuar në vend tani janë të pajisur me njohuritë për të hartuar dhe ofruar kurse hibride në plan afatgjatë, duke siguruar që sistemi të vazhdojë të zhvillohet nga brenda vetë institucionit.
Në fjalimin e tij në evenimentin përmbyllës, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski nënvizoi rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm profesional për ndërtimin e shërbimit policor modern dhe profesional.
“Përmes këtij bashkëpunimi u vendos baza për një sistem arsimor hibrid modern dhe të qëndrueshëm: u zhvillua një program për trajnim hibrid, u përzgjodhën dhe trajnuan instruktorë me kompetenca të larta digjitale dhe u krijua një Qendër Multimediale e Trajnimit në Idrizovë, me vlerë rreth 350 mijë euro, si dhe një Sistem Menaxhimi të Mësimit (LMS) që mundëson arsim cilësor dhe të përshtatshëm”, theksoi ministri Toshkovski.
Ambasadori Kilian Val, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi rëndësinë e drejtpërdrejtë që projekti ka për qytetarët.

“Për OSBE-në, ky projekt ka qenë gjithmonë një investim në njerëzit. Trajnim më i mirë nënkupton shërbim më të mirë. Duke investuar në ekspertizë nacionale dhe mjete moderne të mësimit, ky projekt ndihmon për të krijuar polic më të sigurt, besim publik më të madh dhe komunitete më të sigurta”, theksoi ambasadori Vall.
Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler nënvizoi vlerën e partneriteteve të forta në ofrimin e rezultateve praktike që janë në dobi të institucioneve dhe qytetarëve gjithashtu.
“Duke garantuar sigurinë publike, zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të qytetarëve, një forcë policore që funksionon mirë forcon besimin në sundimin e ligjit dhe në shtet. Trajnimi modern dhe bashkëkohor është thelbësor për ta arritur këtë. Jam e bindur se mbështetja ynë financiare gjermane është investim i vlefshëm, falë një partneriteti të fortë.”, tha ambasadorja Dreksler.
Përtej ndikimit kombëtar, projekti gjithashtu lidh Maqedoninë e Veriut me rrjetet rajonale të trajnimit policor, duke përfshirë edhe shoqatën e akademive policore në Evropën Juglindore të mbështetur nga OSBE, që mundëson këmbimin e përvojave dhe rritjen e standardeve profesionale në mbarë rajonin.
“Misioni i OSBE-së punon ngushtë me partnerët nacional dhe ndërkombëtar për të forcuar policimin përmes qasjes gjithëpërfshirëse. Për më tepër, përveç projekteve të arsimit hibrid të mbështetura nga Gjermania dhe Norvegjia, Finlanda ka kontribuar për avancimin e objekteve të policisë në Manastir dhe Strumicë, duke krijuar hapësira më të sigurta të intervistimit për viktimat e krimit, përfshirë të mbijetuarit e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Së bashku, këto iniciativa dëshmojnë se si partneritetet e forta mund të ofrojnë rezultate praktike që forcojnë institucionet dhe ofrojnë shërbim më të mirë për qytetarët. Misioni do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë në forcimin e standardeve të policimit profesional, duke kontribuar për komunitete më të sigurta dhe policim më të përgjegjshëm dhe të orientuar drejt qytetarëve”, thuhet në kumtesën e Misionit të OSBE-së.

