Toshkovski: Është hapur procedurë hetimore ndaj shtatë zyrtarëve policorë

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë një konference për shtyp deklaroi se përgjegjësia për ngjarjen tragjike në Koçan do të kërkohet në mënyrë institucionale, raporton Telegrafi Maqedoni.
Ministri njoftoi se prokurori publik kompetent ka marrë vendim për hapjen e procedurës hetimore ndaj shtatë zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vepra të rënda ndaj sigurisë së përgjithshme”. Zyrtarët e dyshuar janë të punësuar në SPB Shtip dhe DPB Koçan.
“Duke nënshkruar dokumentet për dhënien e pëlqimit pozitiv, ata mundësuan që kabareja të merrte leje për të vepruar, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme. Të dyshuarit kanë shkaktuar një rrezik të konsiderueshëm për sigurinë e punonjësve dhe qytetarëve, duke lejuar që kabareja të funksiononte nën kushte të papranueshme. Ata kanë konfirmuar se kabareja plotësonte kërkesat për mbrojtjen e rendit dhe trafikut publik dhe miratuan një njoftim për Ministrinë e Ekonomisë, duke deklaruar se kabareja ishte në përputhje me kushtet ligjore, edhe pse nuk kishin kryer kontrolle adekuate. Për më tepër, ata kanë dërguar një telegram në të cilin nuk janë dhënë informacione të sakta dhe të plota, duke lënë jashtë shqetësimet e raportuara në afërsi të kabarejes,” tha Toshkovski.