Tmerret në burgjet izraelite

Tmerret në burgjet izraelite

Në një bazë ushtarake në shkretëtirën Negev të Izraelit, që tani shërben si qendër paraburgimi, është shkrepur një foto e skenës. Aty shihet i burgosuri me sy të lidhur, Ibrahim Salem. Salem tashmë është liruar nga burgu dhe rrëfen për abuzimin dhe torturën seksuale që ka përjetuar nga ushtria izraelite.

Ibrahim Salem, 34-vjeçar, ka thënë se është ndier i frikësuar kur një ushtar e ka urdhëruar të zhvishet, gjatë qëndrimit të tij në burgun famëkeq të Izraelit “Sde Teiman”.

“Ata më thanë të zhvishem”, thotë ai, duke treguar për torturën që ka kaluar gjatë burgimit tetëmuajsh në “Sde Teiman”. “Aty e kuptova se po filloja rrugëtimin në ferr”.

Një sulm ajror izraelit ka goditur shtëpinë e Salemit në kampin e refugjatëve “Jabalya” në Gazën veriore më 8 dhjetor, duke ia vrarë tetë nga të afërmit, duke lënduar gruan dhe dy nga tre fëmijët e tij, ka treguar ai.

Katër ditë më vonë, Salem thotë se teksa qëndronte me fëmijët e tij që ishin duke u trajtuar në repartin e kujdesin intensiv të spitalit “Kamal Adwan” në Gazën veriore, u arrestua nga trupat izraelite gjatë një bastisjeje.

“Isha i habitur. Përse më arrestuan? Nuk kisha të bëja me grupet e rezistencës… Nuk ka pasur akuza ndaj meje”, ka thënë Salemi, nga kampi i të zhvendosurve në Al-Mawasi, të Gazës jugore. “Unë jam berber”.

Ai dhe palestinezët e tjerë në spitalin “Kamal Adwan” në Beit Lahia janë prangosur, u janë lidhur sytë dhe janë transportuar me kamionë “si kafshë”, siç tregon Salem.

Askush nuk ka dëgjuar për të për tetë muaj.

Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) kanë thënë se spitali po përdorej si qendër komanduese dhe kontrolluese nga Hamasi. Grupi militant në mënyrë të përsëritur e ka mohuar përdorimin e spitaleve në luftën e tyre me Izraelin.

Në maj, CNN-i ka publikuar një hetim në “Sde Teiman”, bazë ushtarake në shkretëtirën Negev të Izraelit afër kufirit me Gazën, ku të burgosurit janë mbajtur në kushte ekstreme. Në mesin e fotografive të publikuara ka qenë një e një të burgosuri me sy të lidhur duke qëndruar pas hekurave me duart mbi kokë. Ditën që është publikuar hetimi, vëllai binjak i Salemit, Waseem ka treguar se burri në foto ishte vëllai i tij.

Më 23 maj, Saja Mishreqi, avokate në Komitetin Publik Kundër Torturës në Izrael (PCATI), e cila përfaqësonte Salemin, është informuar nga Gjykata Supreme e Izraelit se ai ishte në burgun “Ktzi’ot”, objekt burgimi në Negev i udhëhequr Shërbimi i Burgut të Izraelit (IPS). Ai në fund është liruar pa akuza më 1 gusht.

Salemi ka treguar se është burri në fotografi, duke shtuar se në fillim është mbajtur në një objekt që të burgosurit palestinezë i referoheshin si “Sde”, para se të transferohej në “Ktzi’ot”.

“Ne dëgjonim britma. Dhe pastaj zhurma të plumbave, të ndjekura nga qetësia”, ka thënë Salemi. Kjo i tmerronte burrat, sipas tij.

“Ishte makth”.

Urdhri për t’u zhveshur

Gjatë marrjes në pyetje, Salemi ka thënë se është pyetur: “Ku janë pengjet? Ku janë armët e Hamasit? A je me Hamasin? A je me Qassamin (krahu ushtarak i Hamasit)? A je me Xhihadin Islamik?”
Salemi pretendon se është rrahur, abuzuar verbalisht, i është hedhur ujë i nxehtë dhe ushtarët i kanë thënë se familja e tij është vrarë.

Por pjesa më e rëndë, është dhunuar seksualisht, ka thënë ai.

Salemi ka thënë se shumicën e kohës të burgosurit në paraburgim e kanë kaluar në të brendshme, por para çdo seance të marrjes në pyetje, ushtarët i urdhëronin të zhvisheshin komplet.

“Ata sillnin detektorin e metalit dhe na kontrollonin trupat me të, pastaj e mbanin mbi pjesët private dhe më godisnin aty”, ka thënë ai.

Teksa përkulej nga dhimbja, i zhveshur, ai tregon se dhunohej.

“Nga dhimbja përkulesha. Pastaj papritmas, ata e fusnin shkopin në të pasmen time”, ka thënë ai.
Pas marrjes në pyetje, atij i janë dhënë disa “sekonda” për t’i veshur të brendshmet, sipas tij, duke shtuar se çdo vonesë do të rezultonte në një rrahje tjetër nga ushtarët.

IDF-i ka thënë se Salemi është arrestuar më 12 dhjetor nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në aktivitete terroriste dhe është mbajtur në “Sde Teiman” për “rreth një muaj e gjysmë” para se të transferohej në burg tjetër, ku ka kaluar gjashtë nga tetë muajt e dënimit.

IDF-i ka shtuar se “nuk mund t’i adresojë shkaqet e arrestimit dhe dënimit të tij gjatë asaj periudhe”, duke shtuar se sjelljet e paligjshme gjatë dënimit janë “në kundërshtim me ligjin dhe urdhrat e IDF-it, e prandaj janë rreptësishtë të ndaluara”.

CNN-i ka pyetur shërbimin e burgut për dënimin e Salemit dhe pretendimet e tij të dhunimit dhe u është thënë se kërkesat për informacion mbi procesin ligjor, politikën e arrestimit dhe marrjes në pyetje që “supozohen se kanë ndodhur në objektet ushtarake dhe përfshijnë të burgosur të sigurisë kombëtare që nuk janë banorë të Izraelit” duhet t’i drejtohen IDF-it dhe Agjencisë së Sigurisë së Izraelit, të njohur si Shin Bet.

Shin Beti nuk ka komentuar rreth kësaj çështjeje.

Salemi është liruar në Rripin e Gazës më 1 gusht pasi një vlerësim ka gjetur se lirimi i tij nuk do të paraqiste rrezik për sigurinë kombëtare, ka thënë IDF-i, duke shtuar se ai ka dalë para një gjyqtari në gjyqin e distriktit për shqyrtim gjyqësor gjatë dënimit të tij.

Ai ka thënë se nuk është përfaqësuar nga një avokat në gjyq.

Tallja me fotografi të trupave të zhvarrosur

Salemi ka thënë se një hetues i ka treguar atij fotografi të asaj që ai besonte se ishin trupat e zhvarrosur të gjashtë anëtarëve të familjes, që i kishte varrosur në oborrin e spitalit “Kamal Adwan”. Salemi ka thënë se hetuesi është tallur me të, duke e detyruar t’i numëronte gjashtë trupat në fotografi.

“Me çfarë arsye i merrni trupat dhe i përdhosni?” e ka pyetur ai hetuesin. “Këta trupa janë tanët. Neve na duhet t’i varrosim”.

Hetuesi i është përgjigjur se trupat “mund të jenë pengje” të kidnapuara nga Hamasi më 7 tetor, të cilës Salemi i është përgjigjur, duke qarë: “Nipat e mi, a janë ata pengje? 5-vjeçarët?”

Izraeli më herët e ka pranuar se i ekzaminon trupat si pjesë e kërkimit për mbetje të pengjeve të marra më 7 tetor në sulmet e Hamasit në Izraelin jugor, ku janë vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe janë marrë peng 250 të tjerë. IDF-i ka thënë në janar se trupat që vlerësohen se nuk janë të viktimave janë “rikthyer me dinjitet dhe respekt”.

Më shumë se 40,200 palestinezë janë vrarë dhe gati 93 mijë të tjerë janë plagosur nga ofensiva e Izraelit në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza.

Në videot e kamerave të sigurisë nga burgu “Sde Teiman” të marra nga Channel 12 i Izraelit, shihen ushtarët izraelitë duke zgjedhur një nga dhjetëra të burgosur palestinezë të shtrirë në tokë. Pas një muri me mburoja që i pengojnë pamjen e kamerave të sigurisë, ushtarët dyshohet se e përdhunojnë të arrestuarin. Viktima është dërguar në një spital me lëndime në rektum, sipas organizatës jofitimprurëse izraelite, “Physicians for Human Rights Israel”. Ushtria izraelite ka refuzuar të komentojë rreth videos.

Pak pas incidentit, dhjetë ushtarë izraelite janë arrestuar për abuzim të supozuar të një të burgosuri palestinez në objekt, sipas IDF-it. Pesë janë liruar deri më tani dhe pesë të tjerë janë duke mbajtur burg shtëpiak.

“Politikat sistematike”

Sara Mishreqi ka thënë se Salemi është dënuar nën ligjin e diskutueshëm të Izraelit për Luftëtarët e Paligjshëm, për të cilën organizata joqeveritare e të drejtave “Human Rights Watch” ka thënë se “zhduk të drejtat kuptimplota të shqyrtimit gjyqësor dhe të procesit të rregullt ligjor”.

Ligji e ndalon ushtrinë t’i burgosë njerëzit deri në 30 ditë pa urdhërarrest, pas të cilës ata duhet të transferohen në burg, sipas Komitetin Publik Kundër Torturës në Izrael (PCATI), organizatë joqeveritare (OJQ) me seli në Tel Aviv. Mbi 4000 banorë palestinezë të Rripit të Gazës janë burgosur nga Izraeli që nga fillimi i luftës, thuhet në raportin e PCATI-t të muajit të kaluar, duke shtuar se ligji ua heq të drejtat si të burgosur të luftës dhe mbrojtjen e popullatës civile, sipas të drejtës humanitare në territoret e pushtuara.

Deri në prill, më shumë se 9500 palestinezë kanë qenë duke u mbajtur në burgjet izraelite, duke përfshirë më shumë se 3500 pa akuza, sipas Mbështetjes së të Burgosurve “Addameer” dhe Shoqatës së të Drejtave të Njeriut, që janë OJQ palestineze. Këto vlerësime nuk përfshijnë të burgosur nga Gaza, ka thënë grupi.

Salemi është një nga shumë të burgosur që kanë treguar për historitë e errëta gjatë kohës së kaluar në burgjet izraelite. Dëshmitë e tyre kanë çuar në thirrje për reforma në burgjet e Izraelit.

Izraeli ka ulur shumë numrin e njerëzve që po mbahen në “Sde Teiman” pas nisjes së thirrjeve për mbylljen e objektit. Në qershor, një avokat i shtetit i ka thënë Gjykatës Supreme të Izraelit se qindra të burgosur palestinezë janë transferuar jashtë objektit.

“Problemi ynë nuk qëndron vetëm me ‘Sde Teiman’… por me politikën sistematike që po ndodh atje, shkeljet dhe torturat që ndodhin brenda objektit pa mbikëqyrje të jashtme”, ka thënë Mishreqi, duke shtuar se as mbyllja e objektit nuk do të ndihmojë “nëse këto politika transferohen në burgjet tjera”.
Një raport i publikuar nga grupi izraelit i të drejtave të njeriut “B’Tselem” këtë muaj ka dokumentuar “abuzimin dhe trajtimin çnjerëzor të palestinezëve” të mbajtur në burgjet izraelite që nga 7 tetori. Raporti, që ka mbledhur dëshmi nga 55 palestinezë, ka treguar “transformimin e nxituar të më shumë se një duzine të burgjeve izraelite, ushtarake dhe civile, në rrjet kampesh kushtuar abuzimit të të burgosurve”. IDF-i përherë i ka mohuar akuzat e abuzimit sistematik.

Drejtori ekzekutiv i “B’Tselemit”, Yuli Novak ka thënë këtë muaj se “Sde Teiman” është “vetëm kulmi i ajsbergut” sa i përket keqtrajtimit izraelit të të burgosurve palestinezë, duke shtuar se është “e organizuar dhe sistematike” dhe se është përkeqësuar pas 7 tetorit.

Salemi ka thënë se ka pasur rreth 150 të dënuar me të në objektin e dytë në të cilin është mbajtur.
Në ditën e lirimit të tij, Salemi ka thënë se është dërguar në kufirin e Gazës nga IDF-i, por se i është thënë se nuk mund të rikthehej në shtëpinë e tij në Jabalya, në Gazën veriore. Ai tani është duke jetuar në një kamp të të zhvendosurve në Khan Younis, në Gazën jugore.

Ai është zhvendosur nga tendat e të dënuarve në tendat e të zhvendosurve gjatë sprovës së tij, ka thënë ai, dhe kujtimet e abuzimit që ka kaluar në burg vazhdojnë të jetojnë me të.

“Je duke e ekspozuar trupin tënd para ushtarëve, që të ngacmojnë dhe të prekin me objekte në pjesët e tua private”, ka thënë ai. “Ata të godasin në të pasmet, të tërheqin nga flokët, të shajnë… është poshtëruese”.

Ai akoma nuk është ribashkuar me gruan dhe fëmijët, që ndodhen akoma në Gazën veriore, me të cilët mund të komunikojë vetëm me telefon. Dy prej fëmijëve u nevojiten operacione për plagët e marra nga sulmi ajror izraelit, ka thënë ai.

MARKETING