Tifozëve izraelitë u ndalohet hyrja në stadiumin e Aston Villës për Ligën e Evropës

Asnjë mbështetës i klubit izraelit Maccabi Tel Aviv nuk do të lejohet ta ndjekë nga stadiumi ndeshjen kundër Aston Villës në Ligën e Evropës muajin e ardhshëm në Angli, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë, njoftoi klubi anglez të enjten.
Ky vendim vjen pas protestave kundër ndeshjeve kualifikuese të kombëtares së Izraelit për Kupën e Botës kundër Norvegjisë dhe Italisë, ku policia përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve dhe demonstruesve propalestinezë në Oslo dhe Udine.
Aston Villa tha se e mori këtë vendim pas udhëzimeve të Grupit Këshillues për Sigurinë (SAG), i cili është përgjegjës për lëshimin e certifikatave të sigurisë për ndeshjet në stadiumin Villa Park, bazuar në disa faktorë të sigurisë dhe fizikë.
“Pas një takimi këtë pasdite, SAG u ka shkruar zyrtarisht klubit dhe UEFA-s për t’i këshilluar se asnjë tifoz [i skuadrës] vizitore nuk do të lejohet të hyjë në Villa Park për këtë ndeshje”, tha Villa në një deklaratë.
“Policia e ka këshilluar SAG-un se ka shqetësime për sigurinë publike jashtë stadiumit dhe aftësinë për të menaxhuar çdo protestë të mundshme gjatë natës”, tha ajo.
UEFA: Përgjegjësia u mbetet autoriteteve lokale
Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, tha se dëshiron që tifozët të mund të udhëtojnë dhe të mbështesin ekipin e tyre në një “mjedis të sigurt, të mbrojtur dhe mikpritës”.
“Ne inkurajojmë të dyja skuadrat dhe autoritetet kompetente të bien dakord mbi zbatimin e masave të përshtatshme që janë të nevojshme për ta lejuar këtë”, tha UEFA.
“Në të gjitha rastet, autoritetet lokale kompetente mbeten përgjegjëse për vendimet që lidhen me sigurinë e ndeshjeve që zhvillohen në territorin e tyre, vendime këto që bazohen në vlerësime të detajuara të rrezikut, të cilat ndryshojnë nga ndeshja në ndeshje dhe marrin parasysh rrethanat e mëparshme”, tha ajo.
Villa renditet e treta në tabelën e Ligës së Evropës, ndërsa Maccabi Tel Aviv është i 30-ti pas dy rundeve.