Tifozat Kuq e Zi shpërthejnë ndaj FSHF-së: Po na heshtin me vetëdije
MARKETING
Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar ashpër ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, duke e akuzuar për përjashtim të qëllimshëm të tifozëve më të zjarrtë nga stadiumi.
MARKETING
Sipas tyre, biletat nuk po shpërndahen mbi bazën e meritës, por përmes lidhjeve dhe interesave, ndërsa ngrenë dyshime edhe për mënyrën se si agjenci turistike kanë siguruar bileta për ndeshjen në Varshavë.
Ata e lidhin këtë situatë edhe me qëndrimin e tyre kundër organizimit të Euro 2027 me Serbinë, duke e cilësuar si arsye të përjashtimit.
Në fund, theksojnë se mungesa e tyre do të ndikojë drejtpërdrejt në atmosferë, por pavarësisht gjithçkaje, mbështetja për Kombëtaren mbetet e palëkundur.
Postimi pa ndërhyrje i Tifozat Kuq e Zi
Edhe këtë herë, tribunat nuk do jenë si gjithmonë…, jo sepse mungon dashuria për Kombëtaren, por sepse dikush ka vendosur me vetëdije ta heshtë zërin e saj më të zjarrtë. Sepse për Federata Shqiptare e Futbollit, nuk ka rëndësi kush e ndjen fanellën, rëndësi ka kush ka lidhje, kush është “i duhuri”, kush kalon nga dera e pasme. Zemra lihet mënjanë, shpërndahet vendi sipas interesit.
Bileta ka, gjithmonë ka.
Ka për miqtë, për klientët, për turistët…
Madje agjensionet turistike prej javësh kanë nisur ofertat promovuese për Varshavën, me paketë të gatshme që përfshin edhe biletën e ndeshjes.
Atëherë lind një pyetje shumë e thjeshtë:
ku i morën këto bileta?
Pse për ata që e kanë mbajt këtë ekip gjallë, me zë e me shpirt, nuk ka!?
Dhe le ta themi qartë, ky përjashtim nuk është rastësi. Është pasojë e qëndrimit tonë. Sepse ne nuk heshtëm. Sepse ne kundërshtuam hapur organizimin e Euro 2027 me Serbinë. Dhe sot, çmimi i asaj kundërshtie është ky, përjashtimi.
Por po harroni një gjë, stadiumi nuk është thjesht beton e karrige, është zë që shpërthen, është zemër që rreh fort, është zjarr që nuk fiket.
Dhe këtë zjarr nuk mund ta kontrolloni me lista.
Këtë herë, nuk do mungojmë vetëm ne…,
do mungojë atmosfera, do mungojë pesha e çdo brohoritjeje, do mungojë ajo ndjenjë që e bën Kombëtaren më shumë se një ekip. Dhe kur të bjerë ajo heshtje e ftohtë në tribunë, kur kënga të shuhet aty ku dikur digjej zjarr, atëherë do ta kuptoni:
më shumë do të ndihet mungesa jonë, sesa do të vërehet prania juaj. Sepse ne nuk jemi dekor, sepse ne jemi zëri dhe zemra e kësaj Kombëtare. Dhe pa ne, ai stadium është thjesht beton.
Kombëtares i urojmë fitore, sepse fanella është mbi gjithçka, dhe kjo largësi nuk është zgjedhje… është “zgjidhja” e FSHF-së.

