Thellohet kriza te Shkupi, drejtuesit aktualë ngrijnë të gjitha aktivitetet
FC Shkupi ka ngrirë të gjitha aktivitetet pas paqartësive të krijuara rreth pronësisë së klubit. Klubi në fjalë, një emër me peshë të madhe në futbollin vendor, që dikur ishte simbol suksesi dhe krenarie për qytetin, sot po kalon një nga periudhat më të errëta të historisë së tij.
Kampioni i shumëfishtë i vendit gjendet në një krizë të thellë organizative dhe pronësore, që po lë pasoja serioze në funksionimin e klubit, te ekipi, stafi dhe mbi të gjitha te përkrahësit. Në prag të rifillimit të sezonit pranveror, situata brenda klubit është përshkallëzuar pas një njoftimi dhe veprimesh kontradiktore lidhur me pronësinë e FC Shkupit. Gjatë ditës së mërkurë, drejtuesit aktualë të organizimit të klubit kanë marrë një telefonatë nga Bekim Baftijari, i cili ka pretenduar se ka marrë pronësinë mbi klubin. Ky pretendim u shoqërua më pas me publikimin e një fotografie nga ish-presidenti Jasin Konjali, ku ky i fundit i uronte Baftijarit “pronësinë” e klubit.
Megjithatë, sipas sqarimeve të dhëna nga strukturat aktuale drejtuese, dokumentacioni i prezantuar nga Baftijari nuk përbën dëshmi për transferim të aksioneve apo pronësisë, por vetëm një autorizim për përfaqësim në emër të klubit para institucioneve. Një autorizim i tillë, theksohet, është dhënë edhe më parë për persona të tjerë dhe mund të revokohet në çdo moment nga ish-presidenti, duke e bërë gjithë procesin të paqartë dhe të pasigurt.
Drejtuesit aktualë të organizimit të klubit kanë ngritur shqetësime serioze për mungesën e transparencës, dallimet e thella në filozofinë e menaxhimit dhe rrezikun që emri i tyre të përfshihet në veprime pa një drejtim të qartë. Ata theksojnë se me shumë mund është rikthyer harmonia brenda ekipit, por kjo është rrënuar brenda një çasti, duke krijuar pasiguri edhe te lojtarët dhe stafi teknik për të ardhmen e tyre.
Sipas tyre, ky autorizim i fundit shihet si një përpjekje e ish-presidentit për të blerë kohë dhe për të shmangur dorëzimin real të klubit tek ata që, sipas tyre, janë pronarët legjitimë – qytetarët e Shkupit. Jo rastësisht, e gjithë kjo ndodh pak ditë para fillimit të sezonit pranveror, në një moment tejet delikat për klubin.
Për këto arsye, “Këshilli për shpëtim dhe rikthim të ndershmërisë, dinjitetit dhe identitetit të Klubit Futbollistik Shkupi” ka marrë vendim drastik: ngrirjen e të gjitha aktiviteteve në klub dhe rreth klubit, deri në arritjen e një marrëveshjeje të shkruar dhe të qartë për bashkëpunimin dhe drejtimin e ardhshëm.

