Teuta Buçi: Retorika e Mickoskit ndaj VLEN-it, shantazh politik
Gazetarja Teuta Buçi, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, ka komentuar deklaratën e fundit të kryeministrit, Hristijan Mickoski, drejtuar partnerëve të koalicionit qeverisës nga koalicioni VLEN.
Sipas Buçit, retorika e VMRO-DPMNE-së ndaj shqiptarëve nuk është diçka e re, por ajo theksoi se risia qëndron në faktin se këtë herë ajo u drejtohet partnerëve të vet në qeveri.
“Ajo që dua të them fillimisht është se retorika folkloriste që nisi edhe para fushatës zgjedhore, edhe gjatë pjesës së parë të saj, duket se po vazhdon edhe tani, ndoshta në formë më të ashpër. Jemi mësuar me deklarata të tilla nga VMRO-DPMNE-ja, e njohur për qëndrime që mund t’i quajmë antishqiptare. Por ajo që është ndryshe tash është se kjo retorikë folklorike i drejtohet partnerit të koalicionit që ka VMRO-DPMNE,” u shpreh Buçi.
Ajo shtoi se veprimet e fundit të partisë së Mickoskit mund të konsiderohen si presion ndaj partnerit shqiptar në qeveri.
“Unë këtë do ta cilësoja si një shantazh të drejtpërdrejtë që VMRO e bën ndaj partnerit. Koalicionin lokal për zgjedhjet lokale VMRO-DPMNE po e interpreton si një favor që ua ka bërë VLEN-it për të fituar në disa komuna,” tha më tej Buçi. /SHENJA/

