Ter Stegen thyen heshtjen pasi iu hoq shiriti i kapitenit të Barcelonës

Në javët e fundit, kanë qarkulluar shumë spekulime mbi situatën e Marc-Andre Ter Stegen te Barcelona.
Zyrtarët e klubit janë zemëruar tejmase nga veprimet e 33-vjeçarit, dhe për këtë arsye, këtë javë është marrë vendimi për të hapur procedura disiplinore ndaj tij, gjë që ka çuar edhe në heqjen e kapitenit, të paktën për momentin.
Për shkak të kësaj, dhe faktit që Ter Stegen ka refuzuar të nënshkruajë raportin mjekësor të përgatitur nga Barcelona, tensionet janë shtuar, çka ka çuar në këto masa disiplinore. Tani, vetë ai ka folur për herë të parë me një deklaratë në rrjete sociale.
“Këto muaj të fundit kanë qenë veçanërisht të vështirë për mua, si fizikisht ashtu edhe personalisht. Si çdo lojtar, pas një dëmtimi, prioriteti im i vetëm ka qenë të rikthehem në fushë sa më shpejt të jetë e mundur, të motivuar vetëm nga dëshira për të ndihmuar skuadrën dhe për të bërë atë që dua më shumë, të garoj”.
“Në javët e fundit janë thënë shumë gjëra për mua, disa prej tyre krejtësisht pa themel. Prandaj, ndiej që është e nevojshme të shpreh versionin tim të ngjarjeve me respekt, por edhe me qartësi”.
“Vendimi për të i nënshtrohemi operacionit u mor pas konsultimeve me profesionistë mjekësorë dhe me miratimin e plotë të klubit, gjithmonë me synimin për të prioritizuar shëndetin tim dhe karrierën sportive afatgjatë, që natyrisht janë në përputhje me interesat e Barcelonës, që të jem në dispozicion sa më shpejt të jetë e mundur për të vazhduar të fitojmë trofe. Për më tepër, njoftova publikisht kohëzgjatjen minimale të rikuperimit që do të më nevojitet, që më është komunikuar nga ekspertë të respektuar dhe gjithmonë në koordinim me klubin”.
“Dua gjithashtu të sqaroj, duke marrë parasysh disa spekulime, se të gjitha transferimet dhe rinovimet e kontratave nga klubi janë finalizuar përpara operacionit tim. Prandaj, në asnjë moment nuk mund të konsideroja që situata ime fatkeqe me operacionin që më duhej të bëja do të ishte e nevojshme për regjistrimin e ndonjë shoku skuadre, të cilët i respektoj shumë dhe me të cilët shpresoj të ndaj dhomat e zhveshjes për shumë sezone. Çdo interpretim alternativ, më duket i padrejtë dhe i pasaktë për mua”, ka thënë Ter Stegen.