Tentuan të grabisin një market në Çair, privohen nga liria dy persona

Në orët e para të mëngjesit, Policia ka parandaluar një tentativë grabitjeje të armatosur në një market në rrugën “Xhon Kenedi” në lagjen Çair. Tre persona kanë tentuar të kryejnë plaçkitjen, por ndërhyrja e shpejtë e policisë ka parandaluar ngjarjen.
Ngjarja është raportuar në orën 04:52, dhe menjëherë janë dërguar në vendngjarje Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Stacioni Policor Bit Pazar. Kur kanë parë policinë, grabitësit janë përpjekur të largohen, ndërsa një oficer ka qëlluar një plumb paralajmërues në ajër për të ndaluar ata.
Pas një ndjekjeje në vendngjarje, dy nga grabitësit, A.H., 23 vjeç, dhe E.A., 19 vjeç, janë arrestuar, ndërsa personi i tretë është ende në kërkim. Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se pas përfundimit të hetimeve do të ngrihen kallëzime penale për “grabitje në tentativë” ndaj të dyshuarve.