Televizioni shtetëror izraelit: Ushtria ka evakuuar disa lagje në Rafah

Televizioni shtetëror izraelit: Ushtria ka evakuuar disa lagje në Rafah

Ushtria izraelite ka filluar të evakuojë disa lagje në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, ku janë strehuar mbi 1 milion palestinezë të zhvendosur, bëri të ditur televizioni shtetëror izraelit KAN, transmeton Anadolu.

Në lajmin e KAN theksohet se ushtria izraelite ka filluar evakuimin e shumë lagjeve në afërsi të kufirit izraelit në lindje të Rafah.

Edhe në lajmin e “The Times of Israel” thuhet se ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve që jetojnë në lagjet në lindje të Rafah që të “shkojnë në zonat humanitare” në Al-Mawasi dhe Khan Younis.

Rafah, streha e fundit e palestinezëve të zhvendosur në Gaza

Për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit që nga 7 tetori 2023, të paktën 1,9 milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, me një popullsi prej rreth 2,3 milionë. Shumica e këtyre palestinezëve u strehuan në qytetin Rafah, të cilin Izraeli e kishte shpallur më parë si “zonë të sigurt”.

Popullsia e Rafahut, e vendosur në pjesën më jugore të Rripit të Gazës në kufirin me Egjiptin, kishte 280 mijë banorë para sulmeve izraelite ndërsa tani është rritur më shumë se 5 herë, duke arritur në gati 1,5 milion.

Shumica e palestinezëve që u larguan nga sulmet izraelite dhe u strehuan në Rafah, ku nuk ka akomodim dhe infrastrukturë të mjaftueshme, po luftojnë për të mbijetuar në kampet e përbëra nga tenda të improvizuara.

Ndërsa paraqiteshin shqetësime se civilëve nuk do tu mbesë më vend për tu strehuar në Rripin e Gazës, nëse ushtria izraelite fillon sulm tokësor ndaj Rafah ndaj të cilit ajo kryen shpesh herë sulme ajrore, autoritetet izraelite vazhdonin kërcënimin për të pushtuar Rafah pavarësisht paralajmërimeve që vinin nga komuniteti ndërkombëtar.

Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant dje duke pretenduar se lëvizja Hamas nuk dëshiron të arrijnë marrëveshje me qeverinë e Tel Avivit për shkëmbimin e pengjeve, theksoi se do të “pushtojnë së shpejti” qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, 34.683 palestinezë përfshirë të paktën 14.944 fëmijë dhe 9.849 gra janë vrarë ndërsa 78.018 të tjerë janë plagosur.

Ndërsa raportohet se nën rrënoja ka ende mijëra të vdekur, po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.

MARKETING