Të pandehurit për tragjedinë në Koçan me vërejtje ndaj punës së Prokurorisë, gjykimi vazhdon më 23 dhjetor
Në seancën e sotme për rastin “Puls” në Koçan, ku në mars të vitit 2025 humbën jetën 63 persona, mbrojtja e disa të akuzuarve ka bërë një sërë vërejtjesh për punën e Prokurorisë, sipas të cilëve aktakuza është e paqëndrueshme dhe se në publik shpërndahen informacione të pasakta për përgjegjësinë institucionale, transmeton Anadolu.
Gjykata refuzoi kërkesën për heqjen e arrestit shtëpiak për një të akuzuar.
Mbrojtja e punonjësve të Ministrisë së Ekonomisë dhe inspektorëve të tregut pretendoi se ata kanë kryer vetëm kontrolle dokumentesh pa kompetenca inspektuese dhe se nuk kanë mundur të parandalojnë zjarrin në lokalin e natës “Puls”.
Prokuroria deklaroi se provat do të tregojnë se objekti ka qenë “kurth vdekjeprurës” për shkak të neglizhencës sistematike dhe gabimeve institucionale. Në bankën e të akuzuarve janë 37 persona, përfshirë pronarë, zyrtarë, inspektorë dhe ish-funksionarë lokalë.
Gjykimi do të vazhdojë më 23 dhjetor me fjalët hyrëse nga mbrojtja e të akuzuarit Aleksandar Nacev, pronar i një agjencie të sigurisë, procedura e të cilit u bashkua me këtë pak para fillimit të gjykimit, si dhe të përfaqësuesve të dy personave juridik.
Gjykimi po zhvillohet nën masa të përforcuara të sigurisë, me praninë e të pandehurve, të afërmve të viktimave, prokurorisë, mbrojtjes dhe publikut.
Në bankën e të akuzuarve u ulën 37 persona, prej tyre pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetar komune, roje të sigurisë dhe nëpunës civilë.
Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese, ku si pasojë humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur.
Nga hetimet e para pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara.

