Të paktën 71 persona humbin jetën pas tërmetit me magnitudë 7,4 ballë në Kolumbi
Të paktën 71 persona humbën jetën pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7,4 ballë goditi pjesën perëndimore të Kolumbisë, duke shkaktuar shembjen e ndërtesave dhe nisjen e operacioneve të mëdha të shpëtimit në disa qytete, transmeton Anadolu.
Kryebashkiaku i Pereiras, Mauricio Salazar, konfirmoi se të paktën 18 persona humbën jetën në qytet.
Në Valle del Cauca, guvernatorja Dilian Francisca tha se janë raportuar të paktën 27 viktima.
Në Manizales, kryebashkiaku Jorge Eduardo Rojas raportoi të paktën dy viktima dhe shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të më shumë se 32 ndërtesave. Autoritetet në Manizales kanë pezulluar të gjitha aktivitetet akademike dhe kanë raportuar rrjedhje gazi dhe energjie elektrike. Në Quibdo, raportet paraprake tregojnë se një person ka humbur jetën, ndërsa ka edhe persona të lënduar dhe ndërtesa të dëmtuara rëndë.
Në Choco, katër persona janë raportuar të vdekur dhe 69 të tjerë të lënduar pas tërmetit, tha guvernatorja Nubia Carolina Cordoba-Curi.
Tërmeti u regjistrua në orën 12:34 GMT, me epiqendrën rreth 5 kilometra në lindje të qytetit San Jose del Palmar, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së. Agjencia amerikane raportoi se tërmeti kishte origjinën në një thellësi prej 107 kilometrash.
Pavarësisht fuqisë së konsiderueshme të tërmetit, Sistemi i Paralajmërimit për Cunami në SHBA njoftoi se nuk pritet cunami në shtetet amerikane California, Oregon, Washington apo Alaska dhe përjashtoi gjithashtu mundësinë e një cunami që të godasë provincën kanadeze British Columbia.
Autoritetet kolumbiane thanë se nuk ka kërcënim për cunami në pjesën kolumbiane të Oqeanit Paqësor.
Autoriteti i aviacionit civil të Kolumbisë raportoi dëme në Aeroportin Alfonso Bonilla Aragon të Calit, duke e shtuar atë në listën e terminaleve të prekura. Gjithashtu, operimet ajrore në Aeroportin e Popayanit u pezulluan për shkak të hirit vullkanik nga vullkani Purace pas aktivitetit sizmik. Më herët, operimet u ndërprenë në terminalet e Pereira, Manizales, Quibdo, Armenia, Cartago dhe Buenaventura për vlerësime strukturore.
Ambasada e SHBA-së në Bogota tha se po e monitoron nga afër situatën, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të ndjekin lajmet lokale dhe të qëndrojnë në komunikim me familjet e tyre. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se administrata Trump po e “monitoron nga afër” tërmetin dhe është e gatshme të mbështesë popullin e Kolumbisë.
Një lëkundje pasuese me magnitudë 5 ballë u regjistrua në orën 13:18 GMT, rreth 16 kilometra në perëndim të San Jose del Palmar.
“Shteti është i pranishëm dhe po vepron”, tha presidenti kolumbian Abelardo De La Espriella pas tërmetit, duke konfirmuar se mori drejtimin e drejtpërdrejtë të reagimit ndaj emergjencës. Ai urdhëroi krijimin e menjëhershëm të një qendre të përbashkët komanduese për koordinimin e përpjekjeve të reagimit.
De La Espriella kërkoi një raport gjithëpërfshirës nga drejtori i Njësisë Kombëtare për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë lidhur me situatën në qytet, i cili ndodhet rreth 240 kilometra në perëndim të kryeqytetit Bogota.
Presidenti tha se do të udhëtonte drejt Pereiras për të mbështetur të prekurit dhe për të monitoruar reagimin e qeverisë, por më vonë tha se po drejtohej për në kryeqytetin Bogota për t’u përqendruar në menaxhimin e emergjencës.
Komuna, e vendosur në departamentin Choco, ka rreth 4.800 banorë dhe ndodhet në një lartësi prej 1.288 metrash mbi nivelin e detit.
– Reagimi lokal
Guvernatorja e Chocos, Nubia Carolina Cordoba Curi, konfirmoi se kryeqyteti i departamentit, Quibdo, pësoi dëme të rënda strukturore dhe raportoi disa persona të lënduar.
Zjarrfikësit në Quibdo raportuan se persona kanë mbetur të bllokuar brenda strukturave të dëmtuara, ndërsa kryebashkiaku i Calit, Alejandro Eder, tha se të paktën 20 ndërtesa u shembën në qytet dhe se brenda tyre ka persona të bllokuar.
Në Manizales, kryeqytetin e departamentit Caldas, tërmeti shkaktoi dëme të konsiderueshme. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan se një nga kullat kryesore të katedrales ikonike të qytetit pësoi dëmtime të rënda strukturore dhe u anua mbi strukturën qendrore.
Kryebashkiaku i Medellinit, Federico Gutierrez, konfirmoi se ekipet komunale për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë po kryejnë vlerësime aktive të dëmeve.
Në Bogota, sirenat e emergjencës ranë ndërsa mijëra punonjës zyrash dhe banorë dolën në rrugë. Kryebashkiaku Carlos Fernando Galan tha se kryeqyteti nuk ka pësuar dëme të rënda strukturore dhe është i gatshëm të ndihmojë qytetet më të prekura nga tërmeti, ndërsa 100 shpëtues janë tashmë të gatshëm të nisen drejt rajonit.
Agjencia Kombëtare e Infrastrukturës tha se tuneli Sumapaz dhe ura Mariano Ospina janë aktualisht të mbyllura, ndërsa po kryhen inspektime për të vlerësuar gjendjen e infrastrukturës.
Tërmeti u ndje përtej kufijve të Kolumbisë, ndërsa lëkundje të forta u raportuan edhe në Ekuadorin dhe Panamanë fqinje.
Autoritetet në departamentet e prekura po vijojnë të vlerësojnë përmasat e plota të viktimave dhe dëmeve materiale.
Sipas ekspertëve, ky është një nga tërmetet më të fuqishme të shekullit në vend.

