Të paktën 34 të vdekur nga tajfuni Gaemi në Filipine

Të paktën 34 të vdekur nga tajfuni Gaemi në Filipine

Numri i të vdekurve nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet e shkaktuara nga tajfuni Gaemi në Filipine është rritur në 34, ndërsa disa persona janë ende të zhdukur në rajone të ndryshme, tha policia, transmeton Anadolu.

Dymbëdhjetë viktima kanë vdekur në rajonin e Calabarzon, 11 në Metro Manila, nëntë në Luzon Qendrore dhe dy në zonën Bicol.

Njëzet e dy persona kanë ndërruar jetë nga mbytja, pesë janë goditur nga rryma, gjashtë janë varrosur nga rrëshqitja e dheut dhe një është goditur nga një pemë e rrëzuar.

Presidenti Ferdinand Marcos Jr. kishte urdhëruar më herët autoritetet të përshpejtojnë përpjekjet në dërgimin e ushqimit dhe ndihmave të tjera në fshatrat e izoluara rurale.

Në Tajvan, të paktën tetë persona kanë humbur jetën, më shumë se 800 janë lënduar dhe një person është zhdukur, tha Qendra Qendrore e Operacioneve Emergjente.

Tajfuni arriti në Kinë pasi bëri shkatërrime në Tajvan dhe Filipine. Më shumë se 150.000 njerëz që jetonin në provincën juglindore Fujian janë zhvendosur në zona më të sigurta.

Kina aktivizoi paralajmërimin e saj të katastrofave në nivelin më të lartë, me presidentin Xi Jinping që kryesoi një takim mbi kontrollin e përmbytjeve dhe planet e ndihmës ndaj fatkeqësive, tha media shtetërore.

Ministria e Financave ndau 9,26 milionë dollarë fond për të mbështetur restaurimin urgjent të rrugëve të dëmtuara nga përmbytjet.

MARKETING