Të mërkurën ndeshja e kthimit Steaua – Shkëndija

Shkëndija e Tetovës këtë të hënë ka udhëtuar drejt Bukureshtit për ndeshjen ndaj Steauas në kuadër të xhiros së dytë eliminatore në Ligën e Kampionëve.
Skuadra shqiptare ka udhëtuar drejt tokës rumune me rezultat pozitiv 1:0 nga dueli i parë i luajtur në Shkup javën e kaluar, ku kuqezinjtë e Jeton Beqirit triumfuan me golin e vetëm të Al Hasan, por edhe shpërdoruan shumë raste tjera të mira, ku rezultati mund të ishte më i thellë.
Tashmë Shkëndija ndodhet pranë një momenti historik dhe vendimtar, ku në Bukuresht do të kërkojnë të marrin kualifikimin për në raundin e tretë dhe të eliminojnë nga kjo garë një gjigand si Steaua. Skuadra tetovare është e kompletuar dhe përveç Kamer Qakës që për shkak kartonit të kuq nuk do të mund të luaj, të gjithë të tjerët do të jenë në dispozicionin e trajnerit Jeton Beqiri.
Ndeshja ndërmjet Steauas dhe Shkëndijës do të luhet të mërkurën në “Arenën Kombëtare”, duke nisur nga ora 19:30.