Taravari: Të gjithë pacientët në spitalet e Maqedonisë janë në gjendje të mirë dhe stabile

Pas përfundimit të takimit të rregullt të shtabit të krizës, ministri Arben Taravari informoi për gjendjen e pacientëve të lënduar në aksidentin që ndodhi në Koçan.
Në spitalet e Maqedonisë, të gjithë pacientët janë në gjendje stabile dhe të mirë. Planifikohet që në fillim të javës të lirohen nëntë pacientë, pasi t’u kryhen të gjitha ekzaminimet toksikologjike dhe psikologjike.
Jashtë shtetit ndodhen 115 pacientë, ndërsa pesë prej tyre vazhdojnë të jenë në gjendje kritike, megjithatë gjendja e pacientëve ndryshon.
“Sot është dita e shtatë, dhe numri i të vdekurve është zero. Nuk ka asnjë pacient që ka ndërruar jetë. Presim që gjendja të përmirësohet. Javën e ardhshme kemi paralajmërime për kthimin e më shumë pacientëve në vend,” tha Taravari në deklaratën e tij për mediat, pas përfundimit të takimit të shtabit të krizës.