Taravari: Nuk kam armiqësi me Ziadin Selën, buka mes nesh është thyer por bashkëpunimi politik mbetet i mundur

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se nuk ka asnjë armiqësi personale me ish-kryetarin e partisë, Ziadin Sela, edhe pse ka pranuar se marrëdhëniet mes tyre janë ftohur.
Duke folur në emisionin “Debat në SHENJA”, Taravari theksoi se ndarja mes tyre ka ndodhur për arsye politike, por ai nuk ka asnjë qëndrim negativ personal ndaj Selës.
“Aspak. Unë nuk kam ndonjë armiqësi, e kam thënë edhe më herët. Në asnjë moment nuk kam thënë një fjalë të keqe për zotin Sela. Ka qenë e kundërta, ai ka thënë gjëra për mua,” deklaroi Taravari.
Ai shtoi se pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, është i hapur për bashkëpunim në të ardhmen, duke theksuar se në politikë nuk duhet të ketë ndarje të pakapërcyeshme, sidomos mes shqiptarëve.
“Unë kundërshtar politik e kam pasur zotin Ahmeti. Me të kemi bërë beteja politike. Buka mes meje dhe zotit Sela është thyer – kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Por bashkëpunimi politik është i domosdoshëm. Prandaj, nëse mund të bashkëpunojmë me politikanë maqedonas, pse jo edhe me ndonjë shqiptar?” përfundoi ai. /SHENJA/