Taravari kundër Qeverisë: Gostivari ka një kryetar, dhe ai është Valbon Limani!
Pas vendimit të Qeverisë për të emëruar persona të besuar në komunat ku do të mbahet rivotim më 11 janar, ka reaguar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Edhe pse Qeveria caktoi Fadil Xhelilin si ushtrues detyre të Kryetarit të Komunës së Gostivarit, Taravari ka kundërshtuar këtë vendim përmes një reagimi në Facebook. Ai e ka cilësuar emërimin e ri si zëvendësim të “të besuarit nga populli”, duke iu referuar Valbon Limanit, i cili doli fitues në zgjedhjet e 19 tetorit, por ku nuk u arrit censusi.
Në reagimin e tij, Taravari shkruan:
“Sot ka ardhur në Komunë ‘i besuari’ i Qeverisë për të zëvendësuar Të Besuarin nga Populli. Në 11 Janar Gostivari do të flasë prapë e më fuqishëm, sepse për ne ka vetëm një Kryetar dhe ai është Valbon Limani!”
Kujtojmë se sot Qeveria emëroi persona të besuar në katër komuna ku do të përsëriten zgjedhjet për shkak të mosarritjes së censit më 19 tetor: Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë.

