Taravari ironizon Arben Fetain: Në opozitë s’mbledh dot as 50 vetë

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka hedhur kritika të drejtpërdrejta ndaj ish-bashkëpartiakut të tij dhe zëvendëskryeministrit aktual, Arben Fetai, duke vënë në dyshim peshën e tij politike dhe aftësinë për të mobilizuar qytetarët nëse do të kalonte në opozitë, raporton SHENJA.
Duke folur sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, Taravari tha se ndikimi i Fetait në terren është i kufizuar dhe se mbështetja që gëzon aktualisht varet nga pozitat në pushtet.“Shihni, Ziadin Sela ka qenë kryetar i partisë për dy mandate, ka pasë ndikim dhe aty ndodhi thyerja. Arben Fetai, nxirreni nesër në opozitë, nuk mund t’i mbledhë as 50 njerëz, ju garantoj,” deklaroi Taravari.
Ai shtoi se Fetai momentalisht mban disa pozita të rëndësishme në qeveri, përfshirë ministri dhe drejtori, por sipas tij kjo nuk përbën garanci për mbështetje reale.“Arben Fetai ka ministri, disa punësime që ua premton njerëzve dhe mbi 15 drejtori që i menaxhon – me gjysmën e drejtorëve ka komunikim të rregullt me mua,” theksoi Taravari, duke nënkuptuar se ndikimi real në terren nuk është në duart e Fetait. /SHENJA/