Takimi Trump-Putin në Alaskë/ Reagon Zelensky: Ukraina nuk do t’i falë tokë pushtuesit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka reaguar ashpër pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump se do të zhvillojë një takim me Presidentin rus Vladimir Putin të premten në Alaskë, për të diskutuar mbi përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në një deklaratë publike, Zelenskyy ritheksoi qëndrimin e palëkundur të vendit të tij: “Ukraina nuk do të japë tokë pushtuesit.”
Ai theksoi se çdo marrëveshje pa përfshirjen e Kievit është e papranueshme dhe e destinuar të dështojë.
“Sigurisht që nuk do t’i japim Rusisë shpërblime për atë që ka bërë. Populli ukrainas meriton paqe,” – deklaroi ai.
“Përgjigja për çështjen territoriale ukrainase tashmë ndodhet në Kushtetutën e Ukrainës. Askush nuk do të devijojë nga kjo – dhe askush nuk do të mundet. Ukrainasit nuk do t’ia falin tokën pushtuesit.”
Zelenskyy u shpreh i hapur për negociata të vërteta për paqen, por vetëm nëse ato përfshijnë Ukrainën dhe respektojnë sovranitetin e saj.
“Ukraina është gati për vendime reale që mund të sjellin paqe. Por çdo vendim që merret kundër nesh, çdo vendim pa Ukrainën, është njëkohësisht vendim kundër paqes. Janë vendime të vdekura që nuk do të sjellin asgjë.”
Kjo deklaratë vjen në një moment delikat diplomatik, teksa takimi i shumëpërfolur Trump–Putin pritet të mbajë vëmendjen ndërkombëtare. Megjithatë, përjashtimi i Ukrainës nga tavolina e bisedimeve ngre shqetësime serioze për qëndrueshmërinë dhe legjitimitetin e çdo marrëveshjeje të mundshme.