Takim pune i Prokurorisë Publike dhe KSHPK-së në prag të zgjedhjeve lokale 2025

Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut Ljupço Kocevski, kryetari i Komisionit në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Parregullsive Eventuale Zgjedhore Xhelal Bajrami dhe prokurorët publikë në PPRMV Anita Topolova dhe Elvin Veli sot realizuan takim me përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të udhëhequr nga u.d. kryetarja e atij organi Cveta Ristovska, në drejtim të koordinimit të aktiviteteve para zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Në takim, siç njoftuan nga Prokuroria Publike, prokurori shtetëror Kocevski i ka informuar përfaqësuesit e KSHPK-së për përbërjen, kompetencat dhe aktivitetet e Komisionit të përkohshëm të obliguar ta ndjekë veprimin pas parregullsive eventuale zgjedhore të lidhura me ekzistimin e veprave penale nga Kapitulli 16 i Kodit Penal – vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, si dhe vepra tjera penale të cilat mund të bëhen gjatë organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve.
Përveç prokurorit Bajrami si kryetar, Komisionin e përbëjnë edhe pesë anëtarë, përkatësisht nga një prokuror publik prej të gjitha prokurorive të larta publike, si dhe një prokuror nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup si prokurori themelore e cila mbulon rajonin më të madh.
Përfaqësuesit e KSHPK-së në takim kanë informuar për aktivitetet e tyre në lidhje me zgjedhjet, në përputhje me kompetencat ligjore të komisionit antikorruptues.
Njëherit, në takim është biseduar edhe për procesin e planifikimit të aktiviteteve të cilat duhet të përfshihen në Strategjinë e re kombëtare për parandalimin e korrupsionit.