Takim Misajllovski-Güler në Stamboll: Vazhdojmë të forcojmë partneritetin për zhvillimin e dy vendeve

Në kuadër të Panairit të Industrisë së Mbrojtjes në Stamboll – IDEF 25, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vlado Misajllovski, së bashku me ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, është takuar me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler, transmeton Anadolu.
Siç thuhet në një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, në takim është theksuar bashkëpunimi i gjatë aktiv i mbrojtjes i bazuar në vizionin e përbashkët për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit dhe zhvillimin e të dy vendeve.
“Vazhdojmë të forcojmë partneritetin përmes shkëmbimit të njohurive dhe ekspertizës në të gjitha fushat”, është konkluduar në takim.
Misajllovski u është referuar gjithashtu pajisjeve më të fundit të reja dhe të sofistikuara që janë bërë pjesë e arsenalit të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, obusët “Boran” të prodhuar në Turqi, duke vënë në dukje se “Ushtria e Maqedonisë së Veriut është e bindur për cilësinë e industrisë ushtarake turke” dhe duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Turqia, veçanërisht në zhvillimin e kapaciteteve të ushtrisë.
“Ushtria e Maqedonisë së Veriut po kalon nëpër procesin më intensiv të modernizimit dhe pajisjes deri më sot, që pa dyshim është një investim në sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Një ushtri më e fortë do të thotë gjithashtu një mbrojtje kolektive më e besueshme dhe më e sigurt në NATO”, ka thënë Misajllovski.
Siç njoftohet, dje në mbrëmje, në kuadër të vizitës së tij në Turqi dhe pjesëmarrjes në panairin e industrisë ushtarake IDEF 25, Misajllovski është takuar edhe me presidentin e Agjencisë Turke të Industrisë së Mbrojtjes, Haluk Görgün, me të cilin ka diskutuar zhvillimin e industrisë ushtarake dhe nevojën për rritje të investimeve në këtë fushë, si një mënyrë për të forcuar sigurinë e aleatëve.
Në deklaratë thuhet se industria ushtarake turke është me interes për mbrojtjen e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht duke pasur parasysh se ushtria e vendit tashmë është pajisur me gjashtë obusë të rinj 105 mm dhe pajisje shoqëruese nga kompanitë “Boran” dhe “Aselsan” të cilat u promovuan së fundmi për publikun.