Takim i Siljanovska – Davkovës me presidentin e Polonisë, Andzhej Duda në Samitin për paqe në Ukrainë

Takim i Siljanovska – Davkovës me presidentin e Polonisë, Andzhej Duda në Samitin për paqe në Ukrainë

Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin për paqe në Ukrainë që po mbahet në Zvicër, sot pati një takim me presidentin e Republikës së Polonisë, Andzhej Duda.

Nga Kabineti i Siljanovska-Davkovës informojnë se në takim janë shkëmbyer mendime për marrëdhëniet dypalëshe, për gjendjen në rajon, integrimet evropiane dhe sfidat e sigurisë globale, si dhe bashkëpunimin e dy vendeve si aleate në NATO.

“Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer të krijuar mbi miqësinë tradicionale dhe u shprehën se të dy vendet ndajnë marrëdhënie të krijuar gjatë tre dekadave të bashkëpunimit, respektit reciprok, besimit dhe mirëkuptimit. U theksua se këtë vit po festojmë 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, që është dëshmi e partneritetit të përhershëm dhe vlerave të përbashkëta”, thuhet në komunikatë.

Presidenti e përshëndeti “mbështetjen e qartë të Polonisë në rrugën e gjatë të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së” dhe theksoi “rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme dhe të hapur të Polonisë në rrugën e Maqedonisë për integrim evropian”.

Me ftesë të presidentes të Konfederatës zvicerane, Viola Amherd, sot dhe nesër në Burgenshtok në Liqenin e Lucernit në Zvicër, Siljanovska Davkova, do të marrë pjesë në Samitin për paqe në Ukrainë.

Tubimi ka për qëllim të vendosë forum për dialog të nivelit të lartë për mënyrat e arritjes së paqes së përhershme, gjithpërfshirëse dhe të drejtë për Ukrainën në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e KB-së, të promovojë mirëkuptim të përbashkët për kornizë të mundshme për arritje të këtij qëllimi dhe të definojë udhërrëfyes për atë si të përfshihen të dyja palët në procesin e ardhshëm paqësor.

Në konferencën, që po mbahet me nismë të Ukrainës, do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të rreth njëqind vendeve dhe të organizatave ndërkombëtare.

MARKETING