Sveçla pas dënimit të tre terroristëve të “Banjskës”: Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse

Sveçla pas dënimit të tre terroristëve të “Banjskës”: Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse
Xhelal Sveçla. Foto nga faqja e tij zyrtare në Facebook

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i sotëm për burgim të përjetshëm ndaj dy terroristëve për rastin “Banjska” dhe dënimi për 30 vjet burgim për të tretin dëshmon se të gjithë të përfshirët në sulmin e 2023-tës duhet të marrin dënime maksimale.

Ai ka theksuar se sulmi i 24 shtatorit 2023 ishte operacion i organizuar me mbështetje shtetërre nga Serbia, derisa ka kërkuar që kjo e fundit tani të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik.
“Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim”, ka shkruar ministri në Facebook.

Sveçla ka shtuar se dënimi ndaj tre terroristëve është hap drejt drejtësisë për sakrificën e heroit Afrim Bunjaku, i vrarë nga ai sulm.

“Sot është e qartë: strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar. Rendi kushtetues është mbrojtur. Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion. Ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë: kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë”, ka shkruar ai.

Sveçla ka thënë se drejtësia për Banjskën do të përfundojë atëherë kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin.

MARKETING