Sveçla: Akti i kidnapimit të policëve, incident i rëndë për ne dhe botën demokratike
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi ka arritur në Bare, në vendin ku janë kidnapuar tre policët kufitarë të Kosovës nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë, ka deklaruar se policia apo ushtria e Serbisë është futur në brendi të territorit të Kosovës rreth 600 metra.
“Më treguan se policia apo ushtria e Serbisë është futur 600 metra brenda territorit të Kosovës e pastaj kanë vazhduar në grupe të ndara në këmbë dhe janë futur diku rreth një kilometër brenda territorit të Kosovës dhe kanë kidnapuar 3 zyrtarë policorë nga Njësiti për Mbikëqyrje të Kufirit, të cilët, edhe me vetë deklarimin e autoriteteve të Serbisë, janë të arrestuar”, deklaroi Sveçla, duke shtuar se “ky akt, për ne dhe për botën demokratike, është një incident i rëndë”.
Ministri Sveçla, tutje, shtoi se ky akt është bërë në shenjë hakmarrjeje për arrestimin e kriminelit Llune.
“Serbia qartë po mundohet ta minojë rrugën tonë drejt shtet-ndërtimit të plotë, shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës, që absolutisht s’do t’ia dalë, as të na ndalë e as të na sprapsë, sepse ne jemi në të drejtën tonë dhe do të veprojmë sipas ligjit”, teksa akuzoi Serbinë, e cila “vazhdon të rrezikojë jetën e zyrtarëve tanë, por edhe të qytetarëve tanë”.
Ministri Sveçla bëri të ditur se, pikërisht, në pikën kufitare në Merdare, po arrestohen qytetarët tanë .
“Kemi informacione paraprake për arrestime të qytetarëve tanë në pikën kufitare në Merdare”, deklaroi Sveçla.